Vepra teatrore shqiptare “Stiffler” u shfaq në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” në kuadër të festivalit “FemFest”, që ka nisur të shtunën në Tiranë. Artistët nga Kosova sollën në skenë një shfaqje, ku tregohet një realitet i dhunshëm. Me tekst nga Doruntina Basha vepra në skenën teatrore është me regjinë e Kushtrim Koliqit dhe në role janë aktorët Rebeka Qena, Adrian Morina dhe Armend Smajli. Në materialin e teatrit rreth shfaqjes tregohet Hava, një punonjëse seksi e goditur me thikë pas shpine nga një klient i saj, që kalon 24 orë duke kërkuar ndihme në institucione të ndryshme shëndetësore, sigurie dhe familjare, ku trajtohet dhe gjykohet si kriminele dhe jo si viktimë e një krimi. Shfaqja ka marrë titullin “Stiffler”, duke portretizuar thikën të cilën Hava Mara personazhi i dramës e mban të ngulur në shpinë përgjatë gjithë shfaqjes, si simbol të asaj që ajo merr në secilin institucion e derë që troket për të kërkuar ndihmë, një tjetër thikë të ngulur në plagën që vazhdon t’i qëndrojë hapur. Aktorja Rebeka Qena luan rolin e Hava Marës dhe në role të ndryshme janë aktorët Adrian Morina dhe Armend Smajli në këtë dramë shqiptare, e cila është shfaqur më parë dhe në skena të tjera në Kosovë, por nuk mungoi dhe në Tiranë. Skenografia nga Mentor Berisha, kostumografi Njomza Luci, ndriçimi Skënder Latifi, kompozitor Genc Elezaj, video Leart Rama dhe asistent regjisor Kreshnike Osmani. Vepra teatrore “Stiffler” është prodhuar nga “Integra”. Shfaqja pati premierën më datë 4 dhjetor të viti 2021, në teatrin “Oda” dhe po vijon të shfaqet për publikun në skena të ndryshme teatrore.
Festivali dhe aktivitetet
Si regjisor Kushtrim Koliqi ka sjellë më parë dhe të tjera vepra teatrore, që janë mirëpritur nga publiku dhe janë vlerësuar me çmime. Autorja Doruntina Basha është gjithashtu e njohur me tekstet e saj. Edhe më parë veprat e saj janë prezantuar në skenat e Tiranës, por këtë herë ishte vepra “Stiffler” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental në kuadër të “FemFest”, që po zhvillon edicionin e dytë me drejtore ekzekutive Iliriana Bashën. Pak ditë më parë ajo u shpreh se edhe këtë vit “FemFest” do të përcjellë mesazhe me rëndësi për shoqërinë tonë. Drejtoresha Basha tregoi se përmes artit mesazhet vijnë më fuqishëm te publiku, ku do të trajtohen problematikat sot. “Gratë artiste, aktiviste të shoqërisë civile mblidhen për t’u bërë bashkë dhe përmes artit të japim mesazhe. Ne e dimë që përmes artit vijnë më shumë, vijnë më fuqishëm te publiku. Ne e kuptojmë çdo ditë dhe më shumë se në çfarë shoqërie po jetojmë. Ne të gjitha çështjet që na shqetësojnë mundohemi t’i përcjellim përmes aktiviteteve në kuadër të “FemFest” në Tiranë”, u shpreh Iliriana Basha drejtore e festivalit. Pas veprës “Stiffler” në skenë në vijim do të ketë të tjera shfaqje për publikun në kuadër të festivalit.



































