Google search engine
Home Kulture “Epokat në tinguj” do të vijnë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe...

“Epokat në tinguj” do të vijnë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, premierë botërore në koncert vepra e kompozitorit Aleksandër Peçi,

0
129

Koncerti “Epokat në tinguj” këtë mbrëmje vjen për publikun me një program të pasur muzikor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Premierë botërore është koncerti për piano e orkestër nr. 5 shkruar nga kompozitori i njohur Aleksandër Peçi. “Epokat në tinguj” do të vijnë në TKOB për të mahnitur publikun artdashës në fillim të muajit mars, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. TKOB shprehet se koncerti vjen me pjesëmarrjen e veçantë të dirigjentes së mirënjohur Elda Laro, pianistit francez Pascal Gallet, që do të luajë koncertin nr. 5 për piano të kompozitorit Aleksandër Peçi, dhe solistes virtuoze Laura Llozi, që do performojë koncertin nr. 1 për violinë nga N. Paganini.  Drejtor artistik i koncertit është Arben Skënderi. “Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me Teatrin e Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ju ftojnë të bëheni pjesë e koncertit “Epokat në tinguj” më 1 mars, në orën 19:00”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti No. 5 i Aleksandër Peçit do të interpretohet nga pianisti francez Pascal Gallet dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e dirigjentit Harlen Nikolli. Më herët Pascal Gallet ka shprehur se ndihej i nderuar, që më 1 mars të luante premierë në Tiranë koncertin nr.5 për piano dhe orkestër GEA 2551 të Aleksandër Peçit. “Kjo vepër është e jashtëzakonshme. Jashtëzakonisht kërkuese. Në dy kohë të gjata, Peçi përdor të gjithë gamën e pianos duke risjellë disa homazhe të ndryshme për Bach dhe Mozart, që janë të mrekullueshme nga shkrimi i Peçit. Unë përjetoj një dimension intensiv krijues ndërsa luaj këtë koncert”, thotë pianisti francez Gallet.

Aktiviteti i kompozitorit

Kompozitori Aleksandër Peçi është një nga figurat më të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare bashkëkohore. Gjatë kësaj kohe veprat  e tij janë lozur dhe nga orkestra të tjera në shtete të huaja, ku si gjithmonë vlerësimi nuk ka munguar. Kompozitori Aleksandër Peçi është dhe drejtuesi i festivalit ndërkombëtar “Pianodrom”. Artdashësit e kanë ndjekur rrugëtimin e “Pianodrom” me përkushtim dhe interesi i tyre ka sjellë nxitje më shumë për të vijuar e sjellë koncerte e vepra të reja muzikore. Vit pas viti festivali ndërkombëtar “Pianodrom” u kthye në polin e ideve të reja, i eksplorimeve të reja në muzikën shqiptare. Veprat e “Pianodrom” janë interpretuar me shumë sukses në: Carnegie Holl New York, Majami, Teksas, Romë, Trieste, Paris, Moskë (Konservatori Tchaikovsky), Montreal, Gjermani, Prishtinë, etj. Edicioni i 10-të i “Pianodorm” u zhvillua një vit më parë. Si themelues i “Pianodrom” dhe një nga themeluesit e shoqatës “New Music”, Peçi është promotor i zhvillimeve moderne në kompozicionin shqiptar. Si profesor Aleksandër Peçi ka nxjerrë nga emrat më të rëndësishëm në brezin e ri të kompozitorëve. Kompozitori i njohur Aleksandër Peçi u diplomua në Konservatorin Shtetëror në Tiranë (1974).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here