“Certifikata e martesës” vepër e autorit Ephraim Kishon, një komedi sociale e filozofike në skenën e Teatrit Kombëtar. Me regji nga Driada Dervishi komedia sjell në role aktorë të njohur për publikun. Komedia u shfaq mbrëmë në TK te “ArTurbina” dhe do të vijojë dhe tre net të tjera për publikun në datat 28 shkurt,1 dhe 2 mars. Një komedi brilante është pohuar vepra e autorit Ephraim Kishon, e cila sjell në role aktorët Gentian Zenelaj, Olta Daku, Vlera Pylla, Xhuliano Brisku, Mimoza Marjanaku dhe Amri Hasanlliu. Përkthyes i veprës Artur Lena, kompozitor Endri Sina, skenograf Kiço Çala dhe kostumografe Ermela Marku. Një vepër teatrore që është mirëpritur nga publiku më parë, e cila dhe këtë vit rikthehet në skenë me në role gjashtë aktorët. Vepra teatrore “Certifikata e martesës” është në vijim të punës së regjisores Driada Dervishi me teatrin. Ndërsa këto ditë në skenën teatrore në Tiranë po shfaqet komedia “Certifikata e martesës”, regjisorja Driada Dervishi ka nisur punën për një tjetër vepër teatrore, që do të jetë premierë në skenën e teatrit në qytetin e Durrësit. Si regjisore Driada Dervishi fillon punë në vitin 2004 në teatrin profesionist “Aleksandër Moisiu”, duke ftuar herë pas here dhe aktorë të njohur të skenës teatrore, ajo realizon 27 premiera si: Revizori (N.Gogol), Martesa (A.P.Çehov), Të jesh a të mos jesh i ndershëm sipas (The importance of being Earnest) (Oscar Wilde), Stjuardesat (Mark Camoletti), Suita 51 (Neil Simon), Kush do të bëhet milionarius? (Hristo Boytchev), Seancë e jashtëzakonshme në parlament (Ray Cooney), etj. Në aktivitetin saj regjisorja Dervishi realizon bashkëpunime dhe me teatro të tjerë.
Ngjarjet në komedi
Pas 30 vitesh bashkëjetesë, çifti Meleku – Gentian Zenelaj dhe Olta Daku kujtohen që nuk dinë ku është certifikata e martesës. A varet realisht martesa nga një certifikatë? Dhe më e rëndësishmja, pas 30 vitesh a do të martoheshe sërish me burrin a gruan që ke? Një komedi sociale e filozofike, e cila për disa net me radhë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”, duke dhuruar të qeshura për publikun. Është mjaft e rëndësishme të shkruash për njerëzit e zakonshëm, sepse mbretërit dhe presidentët shkojnë e vijnë, ndërsa hidrauliku duhet përherë, pra qëndron gjithmonë. Pikërisht kjo e bën atë një njeri me një rëndësi mjaft të veçantë, kjo është arsyeja sipas autorit Ephraim Kishon që komedia “Certifikata e martesës” ka një sukses të jashtëzakonshëm. Autori Ephraim Kishon është quajtur satiristi i më i madh izraelit, me më shumë se 50 libra të përkthyer në 37 gjuhë me 43 milionë kopje. Libri i tij “Lezetet e familjes” i sjellë në shqip nga Robert Shvarc, thuhet se është libri më i shitur në hebraisht pas Biblës. Ephraim Kishon (23 gusht 1924 – 29 janar 2005) ishte një autor, dramaturg, skenarist dhe regjisor filmi i nominuar për “Oscar”, izraelit me origjinë hungareze. Talenti i tij në shkrim u bë i dukshëm në rininë e tij. Në vitin 1940 fitoi çmimin e parë për shkrimin e një romani për nxënësit e shkollave të mesme.



































