Vepra “Riedukimi i Apolonit” në skenën teatrore, me ngjarje që zhvillohen sa në të tashmen dhe sa në të kaluarën

0
173

Vepra “Riedukimi i Apolonit” si temë të saj ka barazinë gjinore. Një shfaqje në skenën teatrore, me ngjarje që zhvillohen në të tashmen, por dhe në të kaluarën. Regji dhe dramaturgji Vladimir Doda, “Riedukimi i Apolonit” erdhi në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër me të rinjtë e shkollës “Jordan Misja” në kuadër të “Youth Theater Festival”, ose Festivali Teatror i shkollave të mesme në Shkodër. Regjisori Vladimir Doda i njohur për aktivitetin e tij artistik me teatrin, shprehet se ky tekst i veprës është përshtatur për të rinjtë. ““Riedukimi i Apolonit” është një pjesë që e kam vënë në skenë edhe në Lezhë, me grupin e të rinjve të Hana Center, tema është barazia gjinore. Teksti është ripërshtatur për të rinjtë e “Jordan Misjes” dhe vetëm 50 për qind ka mbetur nga versioni i parë”, tregon ai. Kjo vepër teatrore në skenën e teatrit “Migjeni” erdhi në vijim të atyre më parë në kuadër të këtij festivali. Në fabulën e veprës, shtatë vajza dhe një djalë përpiqen të shohin dritëhije të ndryshme të dhunës me bazë gjinore. Autor dhe regjisor Vladimir Doda tregon se ndërkohë që analizojnë fenomenin, bëjnë dhe autoanalizë dhe rrezikojnë të bien pre e qasjeve të gabuara mbi konceptin e dhunës. “Herë pas here lidhen me historinë dhe mitologjinë, në këtë rast mitin e Apolonit dhe Dafnes që merret dhe si shembulli i parë i feminicidit. Si një dramaturgji bashkohore me ngjyrime postdramatike, ngjarjet zhvillohen sa në të tashmen, sa në të kaluarën brenda mitit, që më shumë citohet ose rrëfehet”, thotë ai. Regjisori Vladimir Doda tregon se ndryshe nga viti i kaluar me “Koliqianën” në Shkodër këtë vit ishte përzgjedhje e lirë. “Këtë vit kishim liri përzgjedhje dhe për faktin se grupi i të rinjve dominohej nga vajzat (kishim vetëm një djalë) mora si argument barazinë gjinore dhe gjendjen e gruas në Shqipëri. Pastaj patriarkalizmi në Shqipëri është faktor formues edhe për sa i përket mendimit kritik. Në fakt të rinjtë luajnë në disa momente të shfaqjes. Përmbysin stereotipe dhe klishe të lidhura ngushtë me njërën gjini, duke ja veshur gjinisë tjetër”, tregon ai.

Puna me pjesën

“Riedukimi i Apolonit” erdhi në kuadër të “Youth Theater Festival”, por regjisori Vladimir Doda pohon se ka shumë rëndësi pjesëmarrja e të rinjve në aktivitetet teatrore. “Shumë të rinj shkodranë, që kanë kaluar nga shfaqjet e festivalit të shkollave kanë vendosur të vazhdojnë rrugën e teatrit pranë Fakultetit të Arteve në Tiranë apo dhe jashtë vendit Itali, Austri, Turqi, etj”, shprehet ai. Puna me të rinj sipas tij është impenjative, por ka dhe shumë anë pozitive si energjia dhe përkushtimi i një moshe të re. Regjisori Doda tregon se të rinjtë përkushtohen shumë. “Më duhet të them që më befasojnë nga viti në vit. Madje aq më tepër këtë vit herë pas here më është dashur të përziej letrat mbi tavolinë, siç i thonë ndryshe, duke i bërë të punojnë me gjëra të tyre personale dhe duke ndërtuar një shfaqje, që nuk ka si synim konkursin, por eksperiencën e tyre, sepse kur i shoh që impenjohen në dhjetra drejtime më dhimbsen. Është një shoqëri tejet performative kjo e jona dhe nxit një lloj ‘bulimie’ aktivitetesh. Ku synohet sasia dhe jo cilësia dhe me sa kam vënë re shkollat janë vazhdimisht në garë për prestigj. Në këtë rast teatri nuk ka aspak në qëllim garën”, thotë ai. Regjisori Vladimir Doda shton më tej se sigurisht teatri ka nevojë për disiplinë dhe ai personalisht përpiqet të provojë me ta dhe t’u kalojë sa më shumë koncepte, që të ndjehen sa më të sigurt në skenë. Por ajo që në fund i intereson, sipas tij është që secila/i të ruaj individualitetin e saj/ tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here