Viti 2023 do të jetë viti i Petro Markos. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Biblioteka Kombëtare shpallën këtë vit si “Viti i Petro Markos”, në nder të 110-vjetorit të lindjes së një prej figurave të rëndësishme të historisë sonë letrare. Në aktivitetin që u zhvillua një ditë më parë në QKLL ishte e pranishme e bija e shkrimtarit Aranita Marko, drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, si dhe studiues dhe shkrimtarë. E bija e shkrimtarit Aranita Marko u shpreh ndër të tjera se lexuesit nuk e kanë harruar Petro Markon. “Jam pak si e vrarë shpirtërisht, sepse në momente të tilla gjithmonë kujtoj ato që ka hequr ai dhe momentet e tij. Një nga vuajtjet e një shkrimtari është kur të heqin të drejtën e botimit, nga letërsia shqipe dhe nga shkollat, dhe rri me vite që mos të kujtohet nga lexuesit, më vjen mirë që e ka kaluar këtë periudhë heshtjeje. Por lexuesit babin nuk e kanë harruar”, tha ajo. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli u shpreh se aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtij viti do ta bëjnë atë më të pranishëm në diskursin publik. “Kemi bërë një kalendar aktivitetesh për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe, për ta bërë atë më të pranishëm në diskursin publik dhe për të folur për atë që letërsia e Markos mund të sjellë në ditët që jetojmë në një lexim ndryshe të veprës”, tha ajo.
Aktivitetet këtë vit
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe familjen e shkrimtarit, përgjatë këtij viti do të nderojnë kontributin e Petro Markos në letrat shqipe, përmes aktiviteteve të ndryshme, leximeve, konferencave, ekspozitave, botimeve në Shqipëri dhe Kosovë. QKLL shprehet se në vitet 1950 – 1960, Petro Marko ishte romancieri më popullor dhe vazhdoi të ishte ndër më popullorët, edhe kur romanet e tij ishin mbyllur në biblioteka si të papërshtatshme. Koha e leximit të tyre, për shkak të shndërrimeve rrënjësore të horizontit të pritjes, është e ndarë në dy periudha: me censurë dhe pa censurë. Një personazh i rëndësishëm i historisë sonë letrare. Fati i familjes Marko është ndoshta nga më tragjikët në historinë e shkrimtarëve të ish-vendeve komuniste, që do të na kujtojë gjithnjë raportin që diktaturat patën me letërsinë. Petro Marko (Dhërmi, 25 nëntor 1913 – Tiranë, 27 dhjetor 1991) ishte arsimtar, publicist, gazetar dhe shkrimtar shqiptar i shquar. Ai do të vlerësohet për prozën e tij moderniste, duke thyer rregullat e metodës së realizimit socialist, ndonëse krijimtaria e tij është bërë pikërisht në atë periudhë. Pas çlirimit, Petro Marko shkruan romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960). Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha.



































