“La serva padrona” është një vepër plot humor, që e sjellin artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ky vit sjell me vete, në TKOB, risinë e platformës “Opera për Fëmijë e Familje”. Do të jetë “Zonja shërbëtore” vepër e kompozitorit Giovanni Battista Pergolesi që do të afrojë në dyert e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, prindër dhe fëmijë, gjyshër dhe gjyshe, për të kaluar një orë plot dëfrim. Me humorin e “thumbimet” e Vesponës, i cili do t’i bëjë fëmijët të qeshin me gjuhën e tij dhe planet që Serpina krijon me të. Kjo e fundit ka diçka tjetër në mendjen e saj dhe me ndihmën e shërbëtorit të heshtur, mashtron Uberton për t’u martuar me të. Dirigjent Dritan Lumshi, regjia Ada Gurra, skenografia/kostumografia Dea Bejleri. Rolet në shfaqje- Uberto: Artur Vera, Serpina: Rovena Xhelili, Vespone: Kristian Koroveshi, Ogert Islami. Clavicembalo Etrita Ibrahimi dhe Kuinteti i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura-Violinë I: Xhudi Dodaj, violinë II: Sonja Hoxhallari, violë: Stela Bello, violonçel: Remino Sula, kontrabas: Xhorxhio Spahi. Kjo shfaqje do të jetë përgjatë datave 22-23-24-25 shkurt në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. “La serva padrona” konsiderohet si modeli i operës komike italiane. Pergolési ishte gjithashtu autor i muzikës fetare dhe muzikës së dhomës, si vokale ashtu edhe instrumentale. Ndër veprat e tij më të famshme janë “Lo frate ‘nnammorato” (1732) dhe “Stabat Mater” (1736).
Interpretimi i parë
“La serva padrona është një “Intermezzo Buffo” e famshme e Giovan Battista Pergolesi-t. Kompozuar për ditëlindjen e Elisabetta Cristina-s të Brunswick-Wolfenbüttel me libret të Gennaro Antonio Federico-s, u interpretua për herë të parë në Teatrin San Bartolomeo në Napoli më 28 gusht 1733, si një intermezzo e operës serioze “Il prigionier superbo” të Pergolesi-t, e cila ishte e destinuar të mos arrinte asnjëherë famën e “La serva padrona”. Premierës së saj të parë i atribuohen dhe fillimet e zhanrit të ri të “Opera Buffa”. Të njëjtin libret e rimori dhe Giovanni Paisiello për operën komike me të njëjtin titull. Në 1734 pati premierën e saj të parë në Académie Royale de Musique në Paris dhe në Pallatin e Versajës, në 1746 në Théâtre-Italien në Paris dhe në 1750 në “Her Majesty’s Theatre”, Londër. Suksesi i madh i rivënies së vitit 1752 të “Académie Royale de Musique” ndezi një mosmarrëveshje, të njohur si “La Querelle des bouffons”, midis mbështetësve të operës tradicionale franceze, të mishëruar në stilin e Jean-Baptiste Lully dhe JeanPhilippe Rameau, dhe mbështetësve të operës së re italiane “Opera Buffa” duke përfshirë disa enciklopedistë, në veçanti Jean Jacques Rousseau, dhe ai gjithashtu një kompozitor. Mosmarrëveshja ndau komunitetin muzikor francez dhe oborrin mbretëror (me mbretëreshën në krah të “Italianëve”) për dy vjet dhe çoi në një evolucion të shpejtë të shijes muzikore drejt modeleve më pak skematike dhe më moderne. Në 1754 u realizua rivënia e kësaj vepre në Théâtre-Italien me titullin “La servante-maîtresse” dhe në 1862 premiera në Opéra-Comique në Paris me Célestine Galli-Marié.



































