Godina e abandonuar pranë mureve të kalasë së Tiranës do kthehet në muzeun e “Besës”

0
199

Godina ku do të ndërtohet muzeu “Besa” gjendet pranë mureve të kalasë së Tiranës. Muzeu “Besa” do të jetë për historinë e shpëtimit të hebrenjve, traditën, kulturën dhe artin hebraik. Ministria e Kulturës ka hapur dhe konkursin ndërkombëtar për muzeun “Besa”, që do të jetë një destinacion të ri në kryeqytet. Muzeu do të ndërtohet në një objekt që po degradonte, por që sipas ministres së Kulturës Elva Margariti do të jetë një sfidë për arkitektët që të bëjnë bashkë arkitekturën e traditës me atë bashkëkohore. Hapjen e konkursit ndërkombëtar për muzeun më të ri në vendin tonë ministrja Margariti e quan një lajm të mirë. Sipas ministres së Kulturës, muzeu i “Besës” do të jetë një qendër sa kujtese ashtu dhe dialogu. “Një tjetër lajm i mirë nga kultura! Hapëm konkursin ndërkombëtar për projektin e muzeut më të ri në Shqipëri, dedikuar Besës. Një qendër sa kujtese aq edhe dialogu për të përçuar në breza një nga vlerat më të çmuara të shqiptarëve, që kulmon me mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore”, shprehet ministrja e Margariti në një reagim në rrjete sociale. Sipas ministres së Kulturës muzeu i “Besës” do të jetë një qendër që do marrë jetë në zemër të kryeqytetit. Ndërsa shprehet se do të jetë një sfidë për arkitektët, Margariti shton më tej se ky muze do të jetë një hallkë në zinxhirin e institucioneve që po rijetësohen. “Një qendër që do marrë jetë në zemër të Tiranës, në një objekt të shpëtuar të trashëgimisë kulturore, që po degradohej dita-ditës. Do të jetë një sfidë për arkitektët që të bëjnë bashkë arkitekturën e traditës me atë bashkëkohore, për të rrëfyer një dimension të shqiptarëve që ne duhet ta promovojmë më fuqishëm. Ky muze do të jetë një hallkë në zinxhirin e institucioneve kulturore, që po rikonstruktohen dhe rijetësohen, për t’iu kthyer komunitetit të artistëve dhe qytetarëve”, vijon ministrja e Kulturës.

Qëllimi i konkursit

Qëllimi i konkursit ndërkombëtar që u hap nga Ministria e Kulturës është të përftohen koncepte bashkëkohore dhe vizionare për ndërhyrje të karakterit arkitekturor dhe restaurues për rehabilitimin dhe adaptimin e objektit ekzistues me status “monument kulture”, kategoria I, si dhe ndërhyrje rijetësuese, të cilat synojnë krijimin e një hapësire të re kulturore të shtuar në kryeqytet. Konkursi ndërkombëtar për projektin e muzeut “Besa” i hap udhë krijimit të një destinacioni të historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe të historisë, traditës, kulturës dhe artit hebraik. Godina ku do të ndërtohet muzeu “Besa” gjendet pranë mureve të kalasë së Tiranës dhe ishte e abandonuar, por tashmë pritet që të kthehet në një hapësirë muzeore. Ndërhyrjet në këtë objekt do të zhvillohen në tre linja/kategori: Ndërhyrje restauruese; Ndërhyrje rijetësuese/ Funksione të reja; Muzealizim. Konkursi për këtë objekt që do të jetë muzeu i “Besës” do të zhvillohet në dy faza. Faza 1: Shprehja e interesit. Në përfundim të fazës së parë do të shpallen 5 finalistë të cilët do të shpërblehen me çmimin 40,000 euro secili. Faza e 2: Projektkoncept. Finalisti do të lidhë kontratën për hartimin e projektzbatimit. Juria e konkursit do të përbëhet nga shtatë anëtarë, ekspertë vendas dhe të huaj me përvojë në fushën e arkitekturës, muzealizimit, kurimit të ekspozitave, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here