Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore miratoi dje projektin e ndërhyrjes emergjente në Urën e Matit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri të ditur se projekti teknik i zbatimit për ndërhyrjen emergjente në objektin-monument kulture, Ura e Matit, është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër, në kuadër të Paktit për Universitetin. “Vetëm pak ditë më parë miratuam gjithashtu projektin e vendosjes së pajisjeve monitoruese, që do të na mundësojnë të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit”, informoi ministrja. Sipas Margaritit, miratimi i këtij projekti i hap udhë gjenerimit të fondeve, fillimit të detyrave të projektimit dhe nisjes së ndërhyrjeve integrale për zgjidhjen e problemit në terren, në të gjithë objektin. Ura e Matit është inauguruar më 26 maj, të vitit 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter. Ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj kohe, nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën. Ura e Matit është një ndër më të bukurat në Ballkan.
Brukseli mbështet artistët
Ndërkohë të gjithë aktorët e industrisë kreative, artistë, operatorë kulturorë dhe mediatikë lokalë kanë sot një mundësi më shumë për mbështetje. Nën praninë e përfaqësuesve të European Union in Albania, UNESCO-s, Ambasadës së Britanisë së Madhe, Italisë, Cooperazione Italiana dhe British Council u hap thirrja për mbështetje përmes grantesh, “Culture and Creativity for the Ëestern Balkans”. Lajmin e dha dje ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes një postimi në rrjetet sociale. Margariti tha se, Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion një buxhet prej 8 milionë eurosh për zhvillimin e industrisë kreative në vende si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kjo thirrje i bashkëlidhet politikave të Ministrisë së Kulturës për të mbështetur skenën e pavarur artistike, artizanët dhe industrinë kreative. Çdo projekt mund të mbështetet me një fond prej 80 mijë eurosh dhe kohëzgjatja e projektit mund të jetë 3-18 muaj. Afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve është data 31 mars 2023.
Vijojnë përgatitje për Festivalin Folklorik të bashkisë Gjirokastër
Nga ana tjëtër, vazhdojnë përgatitjet për Festivalin Folklorik të Bashkisë Gjirokastër, 2023. Në takimet e zhvilluara me grupet e punës të njësive administrative Antigone, Lazarat, Lunxhëri, Cepo, Odrie dhe Picar është diskutuar për përzgjedhjen e krijimtarisë folklorike, të artistëve popullorë dhe veshjeve tradicionale të këtyre zonave. Synohet që në skenën e Festivalit Folklorik të bashkisë Gjirokastër të paraqiten vlerat përfaqësuese të folkut dhe etnografisë. Pjesët folklorike më të spikatura do të përfshihen në prezantimin e qarkut Gjirokastër në Festivalin Folklorik Kombëtar 2023. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës rikthehet në muajin qershor. Festivali i parë Folklorik Kombëtar u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.