Pak ditë më parë festuam 100-vjetorin e Shërbimit Pyjor Shqiptar. Me këtë rast dëshiroj të shkruaj dy fjalë për atë që mund të konsiderohet si babai i Florës Shqiptare, Fransua Pukëvil (François Pouqueville), i cili gjatë qëndrimit 10-vjeçar në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, në Janinë (1806-1815), bëri me qindra itinerare dhe studime nëpër Ballkan, dhe një vend të veçantë e zuri Shqipëria gjeografike (siç e thekson Antonio Baldaçi), për të mos e ngatërruar me kufirin shtetëror të sotëm. Ndër shume publikime të bëra nga Pukëvil, pas kthimit në Francë, vendin kryesor e mban “Voyage de la Grece”, një publikim me 6 vëllime, i publikuar nga Didot me 1826-27. Me këtë publikim, Pukëvil mund të konsiderohet si themeluesi i Florës Shqiptare. Tre vëllimet e para të këtij publikimi i dedikohen tërësisht trojeve shqiptare, sidomos Epirit dhe Shqipërisë së Jugut. Kurse vëllimi i gjashtë trajton prodhimet e tokave të rajoneve nga Mali i Zi e deri në More. Në përshkrimet e Pukëvil, përveç studimeve në fushat gjeografike dhe natyrore, një vend të veçantë zënë edhe studimet e tij botanike, ku ai përshkruan bimësinë që takon gjatë udhëtimeve të tij, sidomos bimësinë pyjore dhe mjekësore. Në listën që i kemi bashkëngjitur, si foto mund të shohim se Pukëvil ka shënuar mbi 100 lloje bimësh, duke i lidhur me rajonet shqiptare ku i ka takuar. Në vëllimin e dytë, ai bën një listë të bimëve të pyjeve malore, fushore, të bregdetit, por edhe të kopshtijeve dhe lulishteve. Fatkeqësisht, Pukëvili kur flet për Florën Shqiptare në ditarët e tij nuk ka shënuar asnjëherë datat dhe lartësitë ku ka takuar këto bimësi, njëkohësisht ai përdor emërtimet franceze të bimëve dhe rrallë emrat shqiptare. Në studimet e tij, Pukëvil flet shpesh për ekzemplaret e bimëve që mbledh nëpër rajonet ku kalon dhe në dy raste shkruan shprehimisht se ka ndërmend të bëjë një Herbarium të bimëve shqiptare, por fatkeqësisht deri më sot nuk ka informacione të sakta nëse ai e bëri këtë herbarium dhe nëse e ka bërë në cilin institutit shkencor francez ka përfunduar. Prandaj, deri në zbulime të reja, herbariumi i parë i Florës Shqiptare vazhdon të jetë ai i italianit Domeniko Pappafava, i cili më 1834 gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, kryesisht sanxhaku i Shkodrës, mblodhi një sërë ekzemplarësh të Florës Shqiptare, një pjesë e madhe e të cilëve janë në Herbariumin e Universitetit të Padovas. Gjithsesi, mjeku, historiani, arkeologu e diplomati Fransua Pukëvil na ka lënë, nëpërmjet shumë studimesh të fushave gjeografike dhe natyrore, kontributin e tij si botanist dhe ka vendosur gurin e parë të shkencës së Florës Shqiptare.