Java e 18-të e Kategorisë Superiore ka nisur me rezultate surprizuese, teksa Vllaznia u mund në Ballsh nga Bylisi 1-0 dhe humbi terren përballë rivalëve kryesorë për titull, Tiranës e Partizanit, kurse në Kurbin, Laçi shkatërroi 4-1 Kastriotin, duke rikuperuar pozitat e veta dhe duke e fundosur ekipin krutan në pjesën e poshtme të tabelës dhe duke e bërë garën më interesante. Këto ishin dy duelet e para të kësaj xhiroje, por sot do të luhen tri ndeshjet e tjera ku Tirana përballet në transfertë me një rival të vështirë si Erzeni e Partizani do të ketë punë me Teutën në një duel që do të luhet në kryeqytet. Natyrisht që priten surpriza të tjera dhe ajo që është evidente tashmë ka të bëjë me diferencimin e grupeve, ku në majë të renditjes janë ato që pretendojnë titullin dhe Europën e në gjysmën e poshtme skuadrat që do të rivalizojnë për mbijetesë. Por kjo ndarje nuk është ende aq e thellë, pasi ka edhe shumë ndeshje deri në fund, plot edhe gjysma e tyre.
Vllaznia “rrëzohet” në Ballsh, Shensoi e nis me fitore në krye të Bylisit
Kategoria Superiore erdhi pasditen e sotme me dy ndeshjet e para të javës së 13, teksa Naxhi Shensoi debuton me fitore. Në përvojën e tij të tretë në stolin e Bylisit, tekniku mori tri pikë të vyera ndaj Vllaznisë në “Adush Muça”, duke iu larguar zonës së ftohtë të renditjes. Golin që vendosi sfidë ne shënoi Souza Ferreira në minutën e 59-të, që shfrytëzoi një rreshtim të gabuar të mbrojtjes shkodrane. Bekim Balaj u aktivizua në minutën e 53-të në vend të Kainës. Ndonëse rikthimi i tij te Vllaznia u prit me shumë bujë, sulmuesi nuk ia doli të bëjë diferencën në fushë. Shkodranët bien kështu pas 3 fitoresh radhazi dhe nuk arrijnë që qoftë edhe përkohësisht, të ngjiten në krye. Nga ana tjetër, mallakastriotët marrin fitoren e parë për 2023-shin dhe dalin përkohësisht nga zona e ftohtë e renditjes.
Laçi triumfon bindshëm ndaj Kastriotit
Fitore e thellë e bindëse e Laçit 4-1 përballë Kastriotit. Skuadra kurbinase e dominoi kundërshtarin që në fillim, duke e zhbllokuar rezultatin me Vasil Shkurtajn që në minutën e 16-të. Pa kaluar ende gjysmë ore lojë, erdhi edhe goli i 2-0, i realizuar nga Spahiu. Laçi e nisi me vrull edhe pjesë e dytë, me Akiniemin që i çoi shifrat në 3-0. Më pas, në shtesë ishte Geci që shënoi për rezultatin përfundimtar 4-1. Golin e nderit për miqtë e shënoi Joan Çela në minutën e 81-të. Laçi rikthehet te fitorja pas tri humbjeve radhazi.
Duelet e sotme
Nëse Partizani fiton me Teutën sot në kryeqytet, atëherë të kuqtë do të vërtetojnë se mund t’ia dalin edhe pa sulmuesin kryesor Xhuliano Skuka. Klubi ndërkohë është në merkato në kërkim të një futbollisti cilësor. nga ana tjetër, Tirana, kryesuese e momentit në Superiore, do të ketë një duel shumë të vështirë në transfertë ndaj Erzenit. Ky i fundit është treguar një ekip shumë i fortë në fushën e tij këtë edicion ndaj dhe pritet me interes kjo përplasje, pasi Erzeni është skuadër që me cilësinë e vet mund të ndikojë në fatet e sezonit aktual.
Java 18
Të enjten
Bylis-Vllaznia 1-0
Laçi-Kastrioti 4-1
Të premten
Egnatia-Kukësi 13:00
Partizani-Teuta 16:00
Erzeni-Tirana 19:00
Renditja
Nr.Skuadra Pikë
1.Tirana 31
2.Partizani 30
3.Vllaznia 28
4.Egnatia 26
5.Erzeni 26
6.Laçi 23
7.Bylis 20
8.Kastrioti 19
9.Teuta 18
10.Kukësi 16