Tekniku Fernando Santos mori drejtimin e kombëtares së Polonisë dhe portugezi do të ketë mundësinë t’i orientojë polakët në Euro 2024. Kështu, në mars Polonia do të nisë aventurën e saj në Grupin E me Republikën Çeke, Shqipërinë, Moldavinë dhe Islandën. Ai u prezantua në gjatë konferencës, ku gjithashtu dërgoi një mesazh të dukshëm për kundërshtarët e tij në grup duke nënvizuar se për të qëllimi është vetëm kualifikimi për në Euro 2024 dhe gjithashtu theksoi se nuk e njeh humbjen. “Objektivi është të kualifikohemi për në Evropian, por është e rëndësishme edhe të ecim me projektin e të marrim fitore. Unë dua të fitoj gjithçka, kjo është ambicia ime. Nuk kam ardhur për të humbur te Polonia, unë nuk e njoh humbjen. E rëndësishme është që para eliminatoreve t’i njohim mirë kundërshtarët, Federata më ka prezantuar një projekt dhe për mua është e rëndësishme që edhe te Polonia të bëj atë çfarë kam bërë në detyrat e mëparshme. Dua të lë gjurmë dhe të ndihmoj në ndërtimin e së ardhmes”, përfundoi Santos. Tekniku portugez do të ketë ndeshjen e parë zyrtare në krye të Polonisë më datë 24 mars ndaj Republikës Çeke. Tre ditë më pas, do të presë në shtëpi përfaqësuesen e Shqipërisë.