Nëse ka një skuadër që nuk ndalon së afruari lojtarë të huaj në gjirin e grupit ai është Kukësi, i cili gjithnjë e më shumë po merr ngjyrat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo pasi Kukësi ka afruar lojtarë me kombësi të ndryshme në ekip. Natyrisht jo gjithçka shkon vaj dhe probleme ka plot. Gjithsesi, klubi po afron futbollistë për t’ia vënë në dispozicion trajnerit Hallaçi që ai të ketë sa më shumë alternativa në dispozicion. Klubi ka bërë të ditur se ka nënshkruar me futbollistin ganez Xhonson Ousu, i cili është sulmues i majtë dhe vjen nga kampionati portugez i futbollit ku ka luajtur kohët e fundit. ”Futboll Klub Kukësi njofton se sulmuesi i majtë Xhonson Ousu është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Futbollisti 24-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin tonë një kontratë për dy sezone e gjysmë. 24-vjeçari ganez vjen te Kukësi nga kampionati portugez ku sezonin e fundit ishte pjesë e skuadrës së Kamaça. Në të shkuarën ka qenë pjesë e Triniti Zlin në Çeki, Braga U-19 dhe Maritimo B në Portugali. Në kampionatin ganez, Xhonson ka luajtur me ekipe si Dreams FC e Inter Allies”, shkruanin verilindorët. Ata bënë të ditur njëkohësisht se kishte firmosur edhe sulmuesi Erduan Smajli, i cili vinte nga futbolli zviceran. “Futboll Klub Kukësi njofton se sulmuesi i djathtë Erduan Smajli është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Futbollisti 19-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin tonë një kontratë për 3 sezone, duke u bërë futbollisti më i ri në skuadër. 19 vjeçari nga Ferizaj, i lindur në Zvicër vjen te Kukësi nga kampionati zviceran ku së fundmi ka qenë pjesë e Kiasos teksa është një futbollist i dalë nga akademia e Jang Bojs. Smajli ka luajtur edhe me ekipin e moshave të Xhenoas në Itali”, shkruhej në njoftimin e klubit.