Lojtarët shqiptarë kanë shtuar numrin e tyre edhe në kampionatet e vendeve nordike dhe ka futbollistë mjaft cilësorë që luajnë në Norvegji, Suedi e madje deri në Finlandë. Ndërkohë, mësohet së fundmi se pas gjashtë muajve në Suedi, sulmuesi Veton Berisha është rikthyer në futbollin norvegjez. Berisha, të martën është prezantuar te Molde, ekip që sezonin e shkuar e fitoi titullin e kampionit të Norvegjisë. Berisha te Molde është transferuar nga Hamarbi dhe me ekipin e ri ka firmosur kontratë deri në fund të vitit 2026. “Është mirë të jesh këtu. Është një sfidë e mrekullueshme dhe e madhe për mua për të qenë pjesë e një ekipi të madh në Norvegji, i cili është edhe kampion në fuqi i kupës dhe ligës. Mezi po pres fillimin e sezonit të ri dhe ta ndihmoj ekipin”, ka thënë Berisha, i cili te Molde do ta bartë fanellën me numrin nëntë. Berisha në verën e vitit të shkuar iu bashkua Hamarbit nga Vikingu, ndërsa në kampionatin suedez shënoi katër gola në 14 paraqitje sezonin e shkuar. Ai ka edhe dhjetë ndeshje me Përfaqësuesen e Norvegjisë dhe një gol të shënuar. Pra Berisha është futbollist me parametra të mirë teknikë dhe është i pëlqyer në kampionatin norvegjez.