Haxhi Krasniqi ka vendosur që të boksojë sërish. Njëri prej boksierëve më të mirë shqiptarë në histori, ka njoftuar të hënën se do të ngjitet në ring më 25 shkurt. Ai do të jetë pjesë e mbrëmjes së boksit që do të organizohet në Munih të Gjermanisë. Pos Krasniqit do të boksojnë edhe shqiptarë të tjerë, si Shefat Isufi, Isuf Kelmendi, Kushtrim Tahirukaj, James Kraft (Musa Avdimetaj) e Armend Xhoxhaj. Kundërshtari i 35-vjeçarit Krasniqi nuk është zyrtarizuar ende. Krasniqi është i njohur me emrin Robin, ndërsa do ta kërkojë fitoren e 52-të në boksin profesionist. Ai ka bilanc prej 51 fitoresh e shtatë humbje në karrierën e gjatë që ka nisur në vitin 2005. Junikasi Krasniqi së fundi ka boksuar më 9 tetor të vitit 2021. Kishte humbur me pikë, me një vendim të dyshimtë, nga gjermani Dominik Bosel. Krasniqi dhe kampi i tij kanë pretenduar për kohë të gjatë që vlerësimi ishte i padrejtë dhe kanë kërkuar që fitorja t’i takonte atij. Madje, kanë bërë edhe ankesa, por vendimi nuk u ndryshua. Krasniqi e kishte mposhtur Boselin më 10 tetor të vitit 2020, në luftën për titull të përkohshëm të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin ËBA, që është një prej katër versioneve të mëdha të boksit profesionist. Titulli i përkohshëm që e fitoi Krasniqi ndërkohë u shua nga federata ËBA. Ai duel i 10 tetorit të vitit 2020 ishte i vlefshëm edhe për titullin në versionin IBO. Krasniqi për kohë të gjatë ka mbajtur titullin e Evropës në boksin profesionist, ndërsa ka luftuar për tituj të botës me Jurgen Braehmerin dhe Nathan Kleverlin. Prej tyre ka pësuar humbje. Ka humbur edhe nga legjenda Arthur Abraham, por ka shënuar shumë fitore të mëdha gjatë karrierës së gjatë. Pas një pushimi më të gjatë, Krasniqi kthehet sërish në ring, në përpjekje për të prekur edhe njëherë nivelin më të lartë të boksit profesionist.