Tenori shqiptar Saimir Pirgu po vijon me një aktivitet të suksesshëm në skenat botërore. Tenori ka triumfuar në skenën madhështore të teatrit Massimo në Palermo, duke interpretuar rolin e Alfredo-s në operën “La Traviata” të Giuseppe Verdi-t, që konsiderohet pjesë e trilogjisë popullore të tij. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se po i bën Shqipërisë një përfaqësim të shkëlqyer. “I urojmë përgëzime tenorit për përfaqësimin e shkëlqyer që po i bën Shqipërisë, si një nga ambasadorët tanë të kulturës në teatrot më të mirënjohur ndërkombëtar!”, thuhet nga TKOB. Gjithashtu dhe drejtoresha e këtij institucioni Abigeila Voshtina ka shkruar në rrjetet sociale, duke uruar tenorin Saimir Pirgu për suksesin në Palermo. “E çmueshme performanca e tenorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Saimir Pirgu, në teatrin Massimo të Palermo-s, ku mishëroi rolin e Alfredo-s të veprës “La Traviata” të Giuseppe Verdi-t! Me interpretime të tilla mbresëlënëse e dinjitoze, si vokalisht ashtu dhe dramatikisht, Saimir Pirgu ngre peshë zemrat e gjithë shqiptarëve për përfaqësimin e shkëlqyer, jo vetëm në Itali, por edhe në piedestalet më të larta të operës në mbarë botën”, shkruan Voshtina. Saimir Pirgu është një nga zërat e vlerësuar në botë. Në vijim të aktivitetit të tij me interpretime të ndryshme, në shtator të vitit 2013 Saimir Pirgut iu dha çmimi prestigjioz “Pavaroti D’Oro” (Pavaroti i Artë). Në vitin 2009 ai u përzgjodh për tu nderuar me çmimin “Franco Corelli” nga “Teatro delle Muse” i Ankones për interpretimin e rolit të Alfredos në “La Traviata” të Verdit. Në vitin 2008, i zgjedhur nga Woody Allen për operën e parë të vënë në skenë prej tij, ai do të interpretonte rolin e Rinuccio-s te “Gianni Schicchi” i Puccinit, në Los Angeles Opera. I duartrokitur tashmë dhe i respektuar nga publiku dhe kritika e mbarë botes, Saimir Pirgu konsiderohet si një nga artistët që ka patur ngjitjen më të shpejtë në karrierë në qarqet operistike dhe koncertale, duke u konsideruar sot si një nga tenorët më të shquar.