SPAK pritet të shkaktojë “tërmet” në politikën shqiptare. Burime për gazetën “SOT” bëjnë me dije se në “rrjetën” e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj ka rënë dhe një ministre e qeverisë “Rama”. Mësohet se SPAK po e heton për abuzimet me fondet. Para pak ditësh raportuam se “njeriu i amerikanëve ka “qepur” 18 dosje “përvëluese” që do të çojnë pas hekurave zyrtarë shumë të lartë dhe njëra nga këto është pikërisht e ministres së Ramës. Gjithashtu, nga burime konfidenciale kemi mësuar se ka një presion të jashtëzakonshëm nga politika për institucionet e drejtësisë për të mos u marrë me këtë çështje pasi rrezikohen zyrtarë shumë të lartë që mund të përfundojnë pas hekurave. Por SPAK mesa duket nuk po ndalet nga asnjë presion, pasi ai u ngrit me ndihmën e SHBA dhe amerikanët vazhdojnë të investojnë shumë. Dosja e saj për pak sa nuk shpëtoi nga hetimi i thellë i Prokurorisë Speciale, njësoj siç nisi skema e Arben Ahmetajt me inceneratorët, por që në fund ish-ministri nuk ia doli që të fshehë faktet komprometuese edhe pse janë raportuar ndërhyrje të forta brenda SPAK. Ndryshimi i kësaj ministreje me rastin e Ahmetajt është se me influencën e saj, ajo futi njerëz të fuqishëm që çështja të kalonte pa zhurmë nga SPAK tek Prokuroria e Tiranës, ku nga aty do ta kishte më të lehtë për të manovruar me mënyrën se si do të shkonin hetimet. Por edhe skema e saj dështoi. Prokuroria speciale jo vetëm që nuk e zhvendosi dosjen, por i thelloi edhe më shumë hetimet dhe abuzimet e saj me fondet pritet ta çojnë pas hekurave.
SPAK hetime sekrete
Drejtësia e re do të fillojë goditjet dhe rezultatet do të shihen në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit. 80% e dosjeve në hetim nga SPAK janë sekrete dhe se asnjë nga personat e hetuar nuk ka dijeni. Vetë SPAK ka njoftuar se: “Duhet të garantohet që SPAK të garantojnë burimet dhe bashkëpunimet e duhura. Kemi bashkëpunuar ngushtë me institucionet ligjzbatuese. Koncepti i hetimit proaktiv nuk është vetëm fillimi i hetimit kryesisht por që ti të hetosh pa e ditur tjetri që po hetohet. 80% e rasteve që kemi në dorë janë hetime proaktive dhe as nuk e dinë që po hetohen, kështu që kemi qenë shumë të fokusuar. Të përfshirë ka edhe persona e zyrtarë të lartë”. Pra SPAK po kalon në fazën e dytë. Atë të goditjes së “peshqve të mëdhenj” dhe rezultatet që kërkojnë amerikanët po i zbaton pikërisht kreu i kësaj strukture, Altin Dumani.
Presione nga SPAK për pushtetarët e lartë të korruptuar
Të dyja këto raste që përmendëm, si ai i Ahmetajt, por edhe i kësaj ministreje të Ramës, kur bëhet fjalë për hetime politikanësh, pushtetarët e lartë të korruptuar fillojnë të ushtrojnë një presion shumë të fortë ndaj SPAK. Nga ana tjetër SHBA ka dhënë së fundmi sinjale se zyrtarët e lartë të zhytur në afera nuk kanë nga të shkojnë. 2023 është një vit sfide për SPAK, i cili ka në krye tashmë një emër të panjollë, një emër që mbështetet nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe kryesisht SHBA. Së fundmi, vizita e ambasadores së SHBA Yuri Kim brenda SPAK, shihet dhe si një mbështetje e fortë amerikane për prokurorët, përballë presionit të fortë të politikës, një pjesë e së cilës ka dosje të rënda në shqyrtim në duart e prokurorëve të posaçëm. Pasi nuk kalon asnjë ditë pa presione të forta. Në këtë funksion e shohim dhe vizitën e Yuri Kim në SPAK, për të dhënë mbështetje për këtë institucion që të bëjë punën e tij, për t’i dhënë zemër, dhe për t’i thënë se SHBA e BE vijojnë të besojnë dhe ta mbështesin në luftën për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në vend. Mbetet të shohim se çfarë na pret në ditët në vijim, por alarmi që ka përfshirë politikën tregon se lajme të bujshme na presin.








































