Një histori tragjike dashurie vjen me shfaqjen teatrore “Luba”. Vepër teatrore shqiptare, që për tre net me radhë do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. “Luba” rrëfimi i një historie tragjike shkruar nga autori Ylljet Aliçka vjen në skenë me regji nga Armand Bora. “Luba” vjen si playback theater për herë të parë në skenën shqiptare. I krijuar për herë të parë në Amerikë nga Jonathan Fox dhe Jo Salas në vitin 1975, playback theater është një teatër i ndërtuar mbi interaktivitetin me spektatorët. Janë histori që tregohen nga spektatorët ato që një grup aktorësh improvizojnë në skenë. “Luba” është historia tragjike e një gruaje të huaj, martuar me një shqiptar. Ngjarje dhe histori të viteve ‘60-‘70 vijnë në skenë përmes parodizimit të sistemit diktatorial dhe shpërfaqjes së thelbit të tij kriminal. Regjisori Armand Bora tregon se është një histori, që rrëfehet sot. “Fillesat si histori i ka në periudhën e viteve ‘60 të ish kampit socialist, kur shumë shqiptarë u martuan me gra të huaja dhe një pjesë e tyre u detyruan me dhunë që ti ndanin. Historia në këtë vepër i ka fillesat në vitet ‘60, por rrëfehet sot dhe shkohet në kohë skenë pas skene”, tregon ai. Interpretojnë në role Xhoana Karaj, Kristian Koroveshi, Igli Fusha, Livion Aliaj, Klaudio Gega dhe Eno Basha. Shfaqja do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në mbrëmjet e datave 20-21-22 janar ora 19:00 dhe koreografe është Veroniki Chatzopoulou, kompozitor Enis Mullaj, as/regjisor Astiano Shehaj.
Aktiviteti artistik
Regjisori Armand Bora një nga emrat e njohur të teatrit në vend e nis aktivitetin artistik në 2023 me këtë vepër teatrore, e cila në vitin që lamë pas u shfaq në sallën Black Box të Universitetit të Arteve, pas mikpritjes që i bëri më parë dhe publiku në qytetin Fierit në teatrin “Bylis”. Më herët regjisori për këtë pjesë, që është shkruar nga autori Ylljet Aliçka tregoi se ajo i kishte pëlqyer për ta sjellë në skenë për publikun, sepse përveç historisë ishte e shkruar në një format modern. Sipas Armand Borës, kjo i krijonte lehtësi për të përshtatur një formë të re teatrore. Kjo shfaqje sipas regjisorit është eksperiment drejt një gjuhe tjetër teatrore. Në vitin që lamë pas regjisori Armand Bora solli në skenën e Fierit dhe shfaqjen “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit”, e cila pritet këtë vit që vijë dhe në skenën e Tiranës. Si regjisor Armand Bora ka shumë vite pune në teatër. Filloi në vitin 1994 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, për të vazhduar pastaj në Teatrin e Operës, Teatrin Kombëtar, në disa skena të tjera shqiptare dhe të huaja deri në Australi, ku ka mundur të bashkëpunojë me dy aktorë australian në teatrin e famshëm “La MAMA” në Melburn. Armand Bora në aktivitetin e tij është angazhuar gjithashtu dhe në disa projekte në kinematografi dhe televizion.