Koncerti “Një natë ëndrrash”, me veprat muzikore të autorëve të njohur, vjen me plot romancë dhe melodia e “Romeo e Giulietta” në TKOB

0
123

Një program i pasur muzikor do të vijë në koncertin simfonik vokal “Një natë ëndrrash”. Kalendari artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit vijon me koncertin, që sjell në skenë dhe dy artiste të njohura.  Mbrëmjen e së shtunës koncerti simfonik vokal vjen me kryevepra muzikore të autorëve të njohur, por Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se në program është dhe melodia e “Romeo e Giulietta”. “Gjithmonë ka diçka magjepsëse për t’u ndjekur te Teatri i Operës dhe Baletit! Këtë radhë ju ftojmë të përjetoni “Një natë ëndrrash”, me një koncert simfonik vokal, ku do të vijë plot romancë melodia e “Romeo e Giulietta” dhe mjeshtërisht kryeveprat e Tchaikovsky-t, Rossini-t, Offenbach-ut, etj”, shprehet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për koncertin e datës 21 janar për publikun. Koncerti “Një natë ëndrrash” është nën dirigjimin e maestros së mirënjohur hungarez, Sandor Gyudi. “Orkestra Simfonike e TKOB-së dhe sopranoja lirike italiane, Ripalta Bufo, e mezzo-sopranoja, Vikena Kamenica do t’ju drejtojnë mahnitshëm përgjatë aries operistike, në një mbrëmje të paharrueshme”, shprehet TKOB për këtë koncert. Kompozitori Jacques Offenbach mbahet mend për gati 100 operetat e tij të viteve 1850 deri në vitet 1870, dhe operën e tij të papërfunduar “Përrallat e Hoffmann”. Pyotr Ilyich Tchaikovsky ishte një kompozitor rus i periudhës romantike. Ai ishte kompozitori i parë rus, muzika e të cilit do të linte një përshtypje të qëndrueshme ndërkombëtarisht. Gioachino Antonio Rossini ishte një kompozitor italian që fitoi famë për 39 operat e tij, megjithëse ai gjithashtu shkroi shumë këngë, disa muzikë dhome, pjesë piano, etj.

“Një natë ëndrrash”, koncerti i tretë

Koncerti simfonik vokal “Një natë ëndrrash” është i treti këtë janar në programin artistik të TKOB. Në datën 10 janar për publikun u zhvillua koncerti i parë i Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit “Not’te da Oscar”, një udhëtim përmes kryeveprave muzikore të kinemasë së shquar amerikane. Koncerti i dytë në kalendarin artistik këtë muaj të parë të vitit në TKOB ishte ai me titull “Klasikët në Opera” më datë 14 janar. “Klasikët në Opera” nën dirigjimin e Dritan Lumshit solli në skenë dhe flautisten Enalda Gjoni dhe pianistja Etrita Ibrahimi. TKOB shprehej më herët se kalendari artistik- janar 2023 sjell ndërmend gjurmët e kompozitorëve të mirënjohur botëror të muzikës klasike. “Me 4 premiera në koncerte simfonike,  5 solistë në violinë, piano, flaut e violonçel dhe me kryeveprat klasike të Mozart-it Tchaikovsky-t, Prokofiev-it, Shostakovich-it, etj. Ju mirëpresim në teatrin e përjetimeve!” bënte me dije institucioni.  Pas “Një natë ëndrrash”, koncerti i radhës që vjen këtë muaj për publikun është ai i datës 28 janar titulluar “Violonçeli misterioz”. Në dhjetor drejtoresha e TKOB Abigeila Voshtina gjatë prezantimit të kalendarit artistik u shpreh se përmban një program me synim rritjen e cilësisë artistike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here