Parku arkeologjik i Amantias është një nga destinacionet turistike për qarkun e Vlorës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë shprehet se në kuadër të projektit “Parku Arkeologjik Amantia” i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale me vendim nr. 474, datë 5.10.2022, u realizua gërmimi arkeologjik dhe restaurimi i pjesshëm i një godine antike të shek. III p.Kr. “Godina ndodhet përballë stadiumit antik, në vendin e quajtur “Bregu i Pazarit”, ku mendohet të ketë një kompleks godinash publike ende të pagërmuara dhe studiuara”, thuhet nga DRTK Vlorë, që ka ndarë në faqen e saj dhe foto gjatë punës në këtë park arkeologjik. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë vijon më tej se nga gërmimi arkeologjik dolën elemente të panjohura të ndërtesës, si dyshemeja e ruajtur në gjendje të mirë dhe muratura anësore. “Gjithashtu, u realizua plotësimi i radhës së parë të muraturës anësore të godinës me anë të anastilozës. Duke qenë se, godina ndodhet në një zonë të pasur me struktura arkitektonike funksioni i saj do të sqarohet gjatë hulumtimeve të mëtejshme të gjithë kompleksit ndërtimor”, thuhet më tej nga DRTK Vlorë. Sipas kësaj drejtorie, projekti ka si qëllim evidentimin dhe restaurimin e strukturave arkitektonike, duke pasuruar itinerarin e parkut arkeologjik të Amanatias me monumente të vizitueshme. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit. Gërmimet, që janë kryer kanë mundur të sjellin në dritë të dhëna historike mbi ekzistencën e Amantias.