Federata e Futbollit e Bjellorusisë ka arsyetuar vendimin që ndeshjen me Zvicrën e Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës ta organizojë në territorin e Serbisë. Të premten FIFA dënoi Federatën e Futbollit të Serbisë për fyerjet e tifozëve serbë ndaj Xhakës e Shaqirit në Kupën e Botës në Katar. Dy yjet shqiptare të Zvicrës janë goxha të urryer në Serbi, pasi kanë dërguar dy herë rresht përfaqësuesen e këtij vendi nga Botërori në shtëpi. Me gjithë tensionet e mundshme, Federata e Futbollit e Bjellorusisë ka vendosur që ndeshjen me Zvicrën ta organizojë në Novi Sad, përkatësisht në stadiumin “Karagjorgje”. Ndeshja Bjellorusi – Zvicër luhet më 25 mars dhe i takon Grupit I të eliminatoreve për Euro 2024. Në këtë grup bënë pjesë edhe Kosova. Mediat në vende të ndryshme e kanë vlerësuar absurd vendimin që ndeshja Bjellorusi – Zvicër të luhet në Serbi, marrë për bazë provokimet që huliganët serbë kanë bërë ndaj shqiptarëve të Zvicrës si në Botërorin në Rusi, ashtu edhe në Botërorin në Katar. Por në federatën bjelloruse e vlerësojnë normal vendimin që ndeshja të luhet në Serbi. “Duke marrë parasysh se për momentin nuk mund të luajmë në stadiumet në vendin tonë ndeshjet zyrtare të përfaqësueses, si dhe logjistikën e komplikuar, Novi Sadi u zgjodh si një vend alternativ. Dhe ky qytet u miratua nga UEFA. Ne e përdorëm Novi Sadin gjatë Ligës së Kombeve të UEFA-s, vitin e kaluar. Luajtëm atje me Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Sllovakinë”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KOHËN të Federatës së Futbollit të Bjellorusisë. Vendimin që ndeshja të luhet në Serbi e ka pranuar edhe federata zvicerane. Ajo ka treguar se nuk është pyetur nga UEFA lidhur me caktimin e Novi Sadit si vend ku do të luhet takimi. UEFA ka vendosur që Bjellorusia të luajë në terren neutral dhe pa praninë e shikuesve për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës.








































