Pemët dhe qyteti në pikturat e Arben Golemit, ekspozita personale e piktorit me 20 punime që ekspozohen për herë të parë

0
189

Pemët dhe shtëpitë e Beratit vijnë në tablo pikture. Piktori i njohur Arben Golemi nis këtë vit aktivitetin artistik me një ekspozitë personale. Njëzet tablo pikture në ekspozitën “Trees and the city”, që ekspozohen për herë të parë për publikun dhe janë punimet më të reja të piktorit Arben Golemi, që i nisi në muajt e fundit të vitit që lamë pas. Piktori Arben Golemi tregon se njëzet punët në pikturë vaj në kanavacë në ekspozitën, që është hapur në “Golemi Art Gallery” në Tiranë janë të formatit 120 me 80 cm. Ai tregon se punët për këtë ekspozitë u nisën me një dhuratë, që ishte një kuti bojërash. “Pati një nismë ekspozita “Trees and the city”. Mua më dhuruan një kuti të madhe me ngjyra kineze, që janë cilësi e mirë dhe janë ngjyra me shkëlqim. Unë punoj çdo ditë me ngjyrat dhe pikturoj, por këtë herë ishte një dhuratë. Unë nga data 25 nëntor të vitit që lamë pas dhe deri në 28 dhjetor e mbylla këtë ekspozitë me piktura. Ishte kjo dhuratë që m’u bë mua, që bëri një ekspozitë”, tregon piktori i njohur Arben Golemi. Berati është vendi ideal për të frymëzuar një artist dhe piktori dhe në këtë ekspozitë sjell në piktura shtëpitë e qytetit.  Piktori Arben Golemi thotë se gjashtë tablo janë me peizazhe të qytetit. “Janë njëzet punë në pikturë, nga të cilat 6 punime janë me peizazhe qyteti dhe pjesa tjetër janë me pemë. Pemë me ngjyra potente. Të pikturosh pemët është një nga gjërat e vështira në pikturë”, tregon Arben Golemi.

Galeria dhe ekspozitat

Kjo ekspozitë personale e piktorit Arben Golemi këtë janar të vitit 2023 vjen pas asaj me titull “Golden afternoon”, që u hap po në “Golemi Art Gallery”. Një galeri që tashmë është bërë një hapësirë shumë e preferuar dhe për artistë të ndryshëm, që kanë ekspozuar veprat në pikturë. Piktori Arben Golemi thotë se në mungesën e një rrjeti galerish në Tiranë, këto pak galeri që janë kanë rëndësi për aktivitetin artistik. “Tirana nuk ka një rrjet të galerive të artit. Pa rrjet galerish nuk të ndihmon edhe shteti. Ne duhet të ngremë rrjetin e galerive private, ku evidentohen artistë dhe shiten edhe punët. Ka mbetur vetëm galeria FAB, GKA është në rikonstruksion, por nuk ka detyrë të hapi ekspozitat tona. Si gjithë bota ne duhet të kemi sallën e ekspozimit të artit modern, që duhet të ishte ngritur në Tiranë”, thotë piktori. Në vitin që lamë pas në galerinë e tij “Golemi Art Gallery” janë hapur njëra pas tjetrës ekspozita të ndryshme, por piktori Arben Golemi thotë se edhe këtë vit kjo galeri do të ketë një sërë ekspozitash në vijim. “Miqtë e mi që janë artistë do të kenë padyshim ekspozitat e tyre të lirshme në këtë galeri”, tregon ai. Arben Golemi është cilësuar si një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern shqiptar. Kultura e gjerë artistike, udhëtimet e shumta në Evropë, Japoni, SHBA, vizitat në muzetë botërore dhe kontakti me krijimtarinë e mjeshtrave klasikë dhe modernë bashkëkohorë ndikuan fuqishëm tek artisti në orientimin e tij drejt një arti modern, dekorativ, ku mbizotërojnë imazhe nga arkitektura dhe natyra.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here