Komedia angleze “Të prezantoj babain” është luajtur në skenat më të rëndësishme të teatrove. Shkruar nga mjeshtri i komedisë angleze Alan Ayckbourn, vepra në skenën shqiptare vjen me regji nga Adelina Muça dhe një kast aktorësh të njohur. Ky vit në jetën artistike për Adelina Muçën nis me regjinë e komedisë angleze, e cila për herë të parë vjen në Tiranë. Komedia do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 11, 12, 13, 14 dhe 15 janar te salla e madhe “ArTurbina” në Teatrin Kombëtar. “Të prezantoj babain” një komedi angleze, e cila prej vitit 1965 deri më sot, është luajtur në skenat më të rëndësishme të teatrove duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm vjen në skenë me katër aktorë. Një palë pantofla misterioze, një seri telefonatash të çuditshme, lule që nuk kuptohen se nga vijnë, një adresë e dyshimtë, një propozim i papritur për martesë dhe një vendim për të takuar prindërit…Rolet në vepër luhen nga Gentian Zenelaj, Suela Bako, Ervin Doko dhe Alesia Xhemalaj, një bashkëpunim të cilin regjisorja Adelina Muça e vlerëson. Regjisorja shprehet se është një komedi, ku te personazhet gjithsecili do të gjejë veten. “Shfaqja është për herë të parë në Tiranë. Publikut i them që është bukur dhe shumë mirë, që vitin ta fillojnë me buzëqeshje. E siguroj publikun që do të kënaqet pa fund. Një komedi, që dhe tek personazhet gjithsecili nga ne do ta gjejë veten dhe do të dalë nga salla me një ndjesi të bukur dhe shumë të mirë”, tregon regjisorja Adelina Muça, e cila ka përkthyer dhe veprën. Shkruar nga mjeshtri i komedisë angleze Alan Ayckbourn, fitues i “Tony Award” në 2010 dhe “Laurence Olivier Award” në 2009, skenografia në veprën që do të jetë disa net në skenë është nga Marçela Llana, kostumet Lira Zahiri, as. regjisor Erti Bejdo.
Komedia dhe vlerësimet
“Të prezantoj babain” me regji nga Adelina Muça përpara se të vijë në skenën e Tiranës ka qenë në disa qytete të vendit për publikun. Një komedi, që është mirëpritur shumë dhe ka pasur sukses. Një vlerësim kjo dhe për regjisoren Adelina Muça, që thotë se premierën vepra e pati në teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” më parë. “Jam ndjerë shumë mirë nga mikpritja, që i ka bërë publiku deri tani, sepse përveç veprës që është shumë fine, inteligjente, një komedi e mirë, edhe kastin e aktorëve e kam shumë të mirë. Jemi një grup që me njëri-tjetrin kemi gjetur një bashkëpunim shumë të mirë. Të katër aktorët kanë besuar fort edhe tek mua si regjisore. Një vepër, që u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku si në Durrës ku u shfaq premierë, por dhe në Elbasan, Berat dhe në festivalin “KokoFest” në Korçë”, tregon regjisorja Adelina Muça. Me rol në këtë vepër në festivalin e Korçës aktorja Suela Bako u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë joprotagoniste”. Komedia vjen për të gjithë artdashësit e vendosur në një atmosferë tepër intime, ku publiku i teatrit do të shijojë një shfaqje, shumë pranë protagonistëve, duke sjellë kështu më tepër emocion.