Muzikali “Jesus Christ Superstar” një nga kryeveprat e artit modern dhe me suksesin e saj njihet si vepra, që transformoi historinë e teatrit muzikor këtë mbrëmje vjen në skenë për publikun te salla e madhe te “ArTurbina”. Kompozuar nga Andrew Lloyd Webber dhe vargje të Tim Rice, “Jesus Christ Superstar” me regji nga Altin Basha është dhe e para shfaqje këtë vit në skenat e Tiranës. Muzikali do të jetë te Teatri Kombëtar te “ArTurbina” mbrëmjet e datave 5 dhe 6 janar, me muzikë live dhe aktorë që këndojnë opera. Produksion i shoqatës “Bash-Art” me producente Ilirjana Basha, Vocal coah Linda Kazani, dirigjente Suzana Turku, orkestrues Jusiald Xhani dhe pianist Erald Simixhiu. Sopranoja e njohur Linda Kazani, që ka punuar dhe me aktorët tregon ndër të tjera, se e reja që solli kjo vepër ishte muzika live. “Artistët kënduan të gjithë. Kori, solistët që ishin aktorë që kanë mësuar të këndojnë opera rock. Këndojnë live dhe janë një orë e 20 minuta në skenë”, shprehet ajo. Muzikali rikthehet për dy net të tjera në skenë dhe sopranoja Linda Kazani tregon se aktorët arritën përtej pritshmërisë së saj. Ajo vlerëson punën për muzikalin me aktorët dhe thotë se punuan shumë. “Janë aktorë, por kanë punuar me shumë përkushtim. Më thoshin: zysh kam ndenjur deri në orën 4:00 të mëngjesit zgjuar dhe pa mësuar nuk vija”, tregon sopranoja e njohur Linda Kazani, që shprehet e kënaqur me punën për këtë vepër.
Talentet e reja
Muzikali “Jesus Christ Superstar” në skenë për publikun vjen në javën e parë të vitit 2023. Në vepër interpretojnë aktorët Ervis Saliasi, Egzona Ademi, Amri Hasanlliu, Donald Shehu, Silvio Goskova, Xhuliano Brisku, Ilia Kaçi, Kristo Qerama, Klint Çollaku. Sopranoja Linda Kazani shprehet se vepra përcjell mesazh njerëzor. “Do i ftoja të gjithë të rinjtë mbi 18 vjeç, familjarët që të vijnë ta shohin. Një shfaqje, që ka mesazh shumë njerëzor”, thotë ajo. Sopranoja Linda Kazani shprehet gjithashtu se në këtë shfaqje kanë zbuluar shumë talente të reja dhe e gjithë kjo punë që është bërë duan ta vijojnë dhe më tej. “Kemi investuar shumë punë, si unë, si bendi, si Altini me regjinë. Gjithë kjo punë që ne kemi investuar duam të vijojë më tutje. Mendojmë nëse do bëjmë diçka tjetër, çfarë do ti përshtatet që ti zhvillojmë në këtë profil këto talente? Sigurisht do marrim dhe të tjerë dhe do bëjmë dhe audicione nëse do ketë projekt. Ta shtojmë këtë potencial artistësh të rinj, për moshën që kanë janë shumë të pjekur”, shprehet Kazani. Në vepër Apostulli famëkeq Juda Iskarioti shqetësohet nga ndjekësit gjithnjë e më të çmendur të Jezusit, duke parashikuar saktë se ata mund të kërcënojnë Perandorinë e fuqishme Romake dhe të ndëshkohen. Apostujt e tjerë presin me ankth të hyjnë në Jeruzalem së bashku me Jezusin dhe kërkojnë të pyesin për planet e tij, por Jezusi u thotë atyre të qetësohen dhe të shqetësohen më pak për atë që do të vijë. Me një kast aktorësh që këndojnë opera, në muzikal është dhe trupa e baletit me koreografe Sara Koçi, si dhe kori i UART. Për dy net me radhë, 5 dhe 6 janar te salla e madhe te “ArTurbina”, publiku do të ketë mundësinë të shohë një nga kryeveprat e artit modern dhe e para në një skenë teatrore këtë vit.