Armand Bora: ‘Luba’, rrëfimi i një historie tragjike dashurie, në formën e ‘playback theatre’

0
132

“Luba” shkruar nga Ylljet Aliçka është rrëfimi i një historie tragjike. Shfaqja me regji nga Armand Bora u shfaq në sallën Black Box të Universitetit të Arteve, pas mikpritjes që i bëri më parë dhe publiku në qytetin Fierit në teatrin “Bylis”. Regjisori Armand Bora thotë se shfaqja “Luba” vjen për publikun në një formë ndryshe. ““Luba” rrëfimi i një historie tragjike dashurie, vjen në formën e playback theatre. Historitë e grave të huaja në Shqipëri janë dëshmi e asaj se çfarë ishin në gjendje të prodhonin sistemet e dhunës”, tregon ai. Regjisori për këtë pjesë, që është shkruar nga autori Ylljet Aliçka tregon se ajo i kishte pëlqyer për ta sjellë në skenë për publikun, sepse përveç historisë ishte e shkruar në një format modern. Sipas Armand Borës, kjo i krijonte lehtësi për të përshtatur një formë të re teatrore. “Me Ylljetin kemi kohë që flisnim për të pasur një bashkëpunim. Mua më pëlqeu teksti, sepse përveç historisë që është shumë me ngarkesa emocionale, ishte shkruar në një format të tillë modern, që më krijonte lehtësi për të përshtatur një formë të re teatrore që është playback theatre, që për herë të parë eksperimentohet në Shqipëri. Një formë që është krijuar në Amerikë dhe është shpërndarë më pas nëpër gjithë botën. Një histori, që rrëfehet dhe materializohet në skenë nga aktorët”, tregon regjisori Armand Bora për pjesën që solli në skenë. Koreografe në shfaqje Veroniki Chatzopoulou, kompozitor Enis Mullaj, as/regjisor Astiano Shehaj.

Historia

“Luba” shkruar nga autori Ylljet Aliçka, si histori i ka fillesat dekada më parë në vendin tonë. Në role janë Xhoana Karaj, Kristian Koroveshi, Igli Fusha, Livion Aliaj, Klaudio Gega dhe Eno Basha. Regjisori Armand Bora tregon se shfaqja ka dhe elemente të gjuhës së trupit, ndërsa vlerëson dhe bashkëpunimet për ta sjellë në skenë. “Fillesat si histori i ka në periudhën e viteve ‘60 të ish kampit socialist, kur shumë shqiptarë u martuan me gra të huaja dhe një pjesë e tyre u detyruan me dhunë që ti ndanin. Kush nuk i ndau pësoi reprezaljet, pasojat e mëpasme. Historia i ka fillesat në vitet ‘60, por rrëfehet sot dhe shkohet në kohë skenë pas skene. Kam pasur bashkëpunimin e dytë shumë të suksesshëm me Enis Mullajin. Muzika është shumë prezent, këtë evidentoj, por dhe bashkëpunimi me koreografen, sepse ka elemente të gjuhës së trupit”, tregon regjisori Armand Bora. Kjo shfaqje sipas regjisorit Armand Bora është eksperiment drejt një gjuhe tjetër teatrore. Por ai tregon se ky prezantim, që është bërë deri tani te publiku ka sjellë emocione. “Ishte një dëshirë e hershme e imja të eksperimentoja në formën e playback theatre, sepse nuk është bërë ndonjëherë dhe kam futur dhe ushtrime të një shkolle japoneze. Playback theater, një eksperiencë plot emocione edhe për publikun që mbushi sallën e teatrit “Bylis””, tregon regjisori. Pak ditë më parë regjisori Armand Bora solli në skenën e Fierit dhe shfaqjen “Çehovi i jep lamtumirën Tolstoit”, e cila pritet vitin që vjen dhe në skenën e Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here