Pasi përjetoi fiasko me kufijtë e çmimeve të derivateve të naftës, që shkaktoi mungesa në treg, autokrati hungarez Viktor Orban vazhdon me lëvizjet radikale të politikës fiskale. Edhe pse bën përpjekje në maksimum që të duken si një shpërndarje e drejtë e barrës së krizës, ato në thelb janë panik dhe populizëm. Tashmë Hungaria vendos një taksë mbi fitimet shtesë të kompanive farmaceutike. Kjo ka zgjeruar listën e taksave të veçanta që duhet të paguajnë kompanitë më të mëdha në Hungari. Edhe pse në thelb nuk bëhet fjalë për taksimin e fitimeve shtesë, apo edhe për taksimin e fitimeve ditore, elita politike hungareze këmbëngul në retorikën sipas së cilës merren ata që fituan diçka lehtë për shkak të një kombinimi rrethanash. Kështu, në të ardhmen, farmacistët në Hungari do të paguajnë 8 për qind mbi shitjet neto mbi 150 miliardë forintë ose 398 milionë dollarë. Falë dekretit që firmosi Viktor Orban vetëm Gedeon Richter do të paguajë 108 miliardë forintë në një taksë të re speciale në vitin 2023. Qeveria e Orbanit po përballet, ndër të tjera, me një krizë të financave publike sepse Bashkimi Evropian ndaloi një pjesë të konsiderueshme të financimit për Hungarinë për shkak të mungesës së reformave. Sipas dekretit të ri kompanitë me të ardhura më të ulëta do të paguajnë një taksë të veçantë për ‘fitimet shtesë’ me norma më tëulëta: ato me të ardhura deri në 50 miliardë forintë do të kenë një normë prej 1% dhe ato midis 50 dhe 150 miliardë një normë prej 3 % . E thënë ndryshe kompanitë do të duhet të paguajnë taksa të veçanta për ‘fitimet ekstra’ në Hungari si për vitin 2022 ashtu edhe për vitin 2023. Pavarësisht kundërshtimeve në disa vende të tjera, vërehet një tendencë për të kopjuar masat ekonomike karakteristike të populizmit autokratik të Viktor Orbanit.