Solistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe artistë të ftuar ngjiten këtë mbrëmje në skenë në grand gala-në e fundvitit “Aspettando Verdi”. Teatri bën me dije se kjo mbrëmje muzikore, që sjell në skenë artistë të njohur do të ketë një program të jashtëzakonshëm. “Duke e hapur siparin me “La Forza del Destino”, kjo gala do të jetë nota e parë e një pentagrami e firmosur tërësisht nga Giuseppe Verdi për vitin e tij dedikuar 2023. Me një program të jashtëzakonshëm që vë bashkë Verdi, Offenbach, Rossini, Puccini, Donizetti dhe Cilea-n, interpretuar nga solistë të teatrit, të ftuar të rinj dhe emra të afirmuar, nën dirigjimin e maestro Jacopo Sipari di Pesscaseroli, presim së bashku Vitin e Verdit dhe Vitin e Ri 2023”, thuhet nga teatri për grand gala këtë mbrëmje. Grand gala që do të jetë këtë mbrëmje në skenë dhe përmban një program të pasur muzikor vjen në vijim dhe të shfaqjeve dhe veprimtarive të tjera, që janë zhvilluar gjatë këtij viti në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Disa nga artistët që do të jenë në skenë këtë mbrëmje me pjesët më të bukura të repertorit botëror janë soprano Eva Golemi, Armando Likaj, Vikena Kamenica, Shpresa Beka, Xhieldo Hyseni, Ivana Hoxha, Denis Skura, Solen Alla, etj. Janë artistë që publiku i ka duartrokitur gjatë gjithë vitit në skenë me shfaqje dhe koncerte të ndryshme dhe këtë natë do të jenë në gand galanë “Aspettando Verdi”.
Viti i Verdit
Orkestra, solistët e kori i TKOB-së është pjesë e kësaj mbrëmje. Por drejtoresha e TKOB Abigeila Voshtin disa ditë më parë gjatë prezantimit të kalendarit artistik të vitit që vjen u shpreh se përmban një program me synim rritjen e cilësisë artistike. Voshtina tha gjithashtu teatri i bashkohet dhe institucioneve të tjerë në botë në shpalljen e 2023 si “viti Verdian”, ku nuk do të mungojnë dhe kryeveprat e këtij autori. “Është përpiluar një program i pasur intensiv dhe ambicioz me synim sigurimin e rritjes së cilësisë artistike. Në përkujtim të veprës së mjeshtrit të madh të muzikës klasike, kompozitorit Giuseppe Verdi, me rastin e 210-vjetorit të vdekjes, TKOB i bashkohet teatrove të tjerë përreth globit në shpalljen e 2023-it “viti Verdian”. Ndaj edhe kalendari vjetor përmban disa nga kryeveprat e Verdit”, u shpreh Voshtina. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit të XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës. Në fillim dhe në mbarim të jetës së tij kompozoi opera komike ndërsa pjesa tjetër (shumica absolute) kanë një përmbajtje serioze dhe disa janë edhe tragjedi. Operat më të njohura, të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botës janë: Nabukodonozor, Rigoleto, Trubaduret, Traviata, Ballo me Maska, Aida, Othello dhe Falstaff. Në historinë e gjatë të operës Verdi zë vend nderi, sepse arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane.