Festivali i Këngës në RTSH nisi mbrëmjen e së hënës në Pallatin e Kongreseve. Këtë vit në edicionin e 61 janë në konkurrim 26 këngë, por kompozitori Miron Kotani shprehet me kritika për çfarë ndodhi në natën e parë të festivalit. Kotani thotë se mungoi skenari, ndërsa ka vërejtje edhe për çfarë u tha për Orkestrën e RTSH-së në festival. “Kritikë Fest. RTSH 61. Orkestra e RTSH -së është aset kombëtar dhe i mbi 12 milionë shqiptarëve ndjekës kudo në botë. Nuk mund ti ulet piazza kaq poshtë në derexhenë e një like BigBrother”, shprehet Kotani. Reagimi i tij vjen pas asaj që u tha nga prezantuesja e festivalit natën e parë në lidhje me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, që sipas saj kishte 1000 ndjekës në rrjete sociale dhe deri të fund të festivalit do ta çonte me më shumë ndjekës. Por kompozitori Kotani thotë se orkestra përfaqëson elitën e interpretimit muzikor në Shqipëri, që nga muzika simfonike e deri te muzika e lehtë. “Mënyra si e tha prezantuesja Arbana Osmani, që ju keni 1000 ndjekës dhe do ua çoj 10 mijë është fyese. Ishte ose gafë në skenar ose lapsus i saj. Orkestra e RTSH-së as nuk matet e as nuk vlerësohet me like, është fyese për të dhe për publikun. Puna e orkestrës dhe fama nuk maten me like BigBrotheri”, thotë Kotani. Kompozitori Miron Kotani një nga zërat që gjithmonë ka reaguar për problemet, që janë shfaqur edhe më parë në festivalet e këngës thotë se në këtë eveniment orkestra duhet të jetë e plotë në skenë. Sipas tij në festival kishte mungesa në orkestër. “Nuk ishte e gjithë orkestra në sallën e festivalit. Orkestra në skenën e Festivalit të Këngës duhet të jetë e plotë, jo e përgjysmuar. Mungonin kornot, flauti, oboja, etj”, thotë kompozitori Kotani.
Skenari dhe krijimtaria
Festivali në natën e parë që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve pati 13 këngë, po aq dhe nata e dytë. Por kompozitori Miron Kotani shprehet se skenari natën e parë në festival linte për të dëshiruar. Sipas tij, mbrëmjen e parë të festivalit e shpëtuan dy aktoret. “Për mua ishte një natë e parë pa skenar. Linte shumë për të dëshiruar. Natën e parë e shpëtoi aktorja e madhe Margarita Xhepa dhe deri diku aktorja Olta Daku me daljet e saj humoristike”, thotë Kotani për çfarë ndodhi këtë vit. Në festival këtë vit janë 26 këngë në konkurrim dhe sipas kompozitorit Miron Kotani në natën e parë nga ana krijimtarisë kishte edhe këngë të mira. Por ai shprehet se festivalit sërish i mungojnë emrat. “Festivalin e Këngës duhet ta bëjnë emrat në krijimtari dhe emrat në interpretim. Nga këngëtarët big vetëm Rovena Dilo ishte që e shpëtoi natën e parë. Mungojnë sërish emrat në festival. Ka një përmirësim situate nga vitet e kaluara, sepse kemi Rovena Dilon, Elsa Lilën, Manjola Nallbanin, por mungojnë pjesa tjetër”, thotë kompozitori Kotani për festivalin. Kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, këtë vit do të zgjidhet me votat e publikut me anë të SMS-ve. Festivali zhvillohet këtë vit në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor.