Shqipëria në futboll do të regjistronte më 17 dhjetor 1967 një ndeshje epokale, që do të konsiderohej më vonë edhe si “ndeshja e shekullit” për futbollin shqiptar. Kuqezinjtë me në krye trajnerin Loro Boriçi do të ndalnin Gjermaninë Perëndimore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Në barazim i thatë 0-0, por mjaftueshëm që gjermanët të mos kualifikoheshin në finalet e Europianit të vitit 1968. Kjo ngjarje shkaktoi një sensacion në shtypin sportiv botëror, pasi gjermanët, një skuadër e mbushur me yje, nuk ia dolën të thyenin 11-shen shqiptare që bënë një ndeshje heroike, madje e fituan atë me një gol të Gjinalit, por goli nuk u quajt nga gjyqtari austriak i ndeshjes, edhe pse sfera e kishte kaluar vijën e portës mbi 30 cm. Gjithsesi, u mbyll 0-0 dhe gjermanët u eliminuan, kurse Shqipëria edhe pse nuk fitoi ndonjë gjë dhe e mbylli në vend të fundit grupin, ia doli të bëhej lajm botëror atë muaj, pasi la jashtë Euripianit një prej skuadrave më të mira të historisë, Gjermaninë, nënkampione në fuqi e botës nga Botërori 1966 në Angli. Atë vit u kualifikua Jugosllavia dhe gjermanët akuzuan ekipin tonë se kishte luajtur në favor të jugosllavëve.
Rrëfimet e heronjve të fushës
Po si mundi Shqipëria ta ndalojë Gjermaninë? Për këtë vlejnë rrëfimet e protagonistëve të kohës e sidomos protagonistët e fushës. Për këtë temë ka folur i madhi futbollist korçar e shqiptar, Teodor Vaso. “Një ngjarje e tillë e madhe sportive nuk duhet harruar dhe s’mund të harrohet. Para se të vinim tek kjo ndeshje, futbolli shqiptar po njihte disa zhgënjime. Ne kishim humbur me Gjermaninë 6-0 (katër gola i shënoi Myler) e më pas humbëm në Beograd ndaj Jugosllavisë 4-0. Konsideroheshim si një prej skuadrave më të dobëta të Europës. Kjo kishte sjellë pakënaqësi në sferat e larta të sportit. U mor një vendim. Natyrisht jo vendim qeverie, por një vendim i pashkruar që të mos aplikonim për pjesëmarrje në eliminatoret e radhës, madje të mos bëheshin ndeshje ndërkombëtare, pasi rezultatet nuk justifikonin prezencën. Pra, në institucionet e larta të sportit mendonin se përfaqësuesja jonë nuk ishte e përgatitur të luante ndeshje ndërkombëtare. Por kjo nuk vlente për ndeshjen e radhës, pasi ndeshja me gjermanët ishte caktuar të bëhej më 17 dhjetor. Ky “vendim i pashkruar”, do të vlente për periudhën në vazhdim, pra pas atij takimi. U kërkua nga ne që të bënim lojë sportive, edhe pse ne nuk kishim asnjë objektiv në garë, sepse i kishim humbur ndeshjet e mëparshme. Presioni ishte i madh sepse ne do të përballeshim me një skuadër nënkampione bote më 1966 në Angli, e që në ato vite ishte bashkë me Brazilin një nga dy skuadrat më të mira të planetit. Që ta themi shkoqur: ne luanim për dinjitet në atë ndeshje, kurse gjermanët luanin për objektivin, pasi synonin fitoren e të kualifikoheshin në Europian. Kjo është ndeshje etalon, motivim shumë i madh për lojtarët e përfaqësueses edhe më pas. Të gjitha analizat dolën në konkluzionin që futbolli shqiptar ka vlera e duhej punuar më shumë për rezultate”, thotë Vaso në një intervistë të dhënë për gazetën “SOT” pak ditë më parë.
Pasojat dhe imazhi i “ndeshjes së shekullit” të futbollit shqiptar
Teodor Vaso, protagonist i fushës së lojës, i cili ka luajtur 30 minuta të shkëlqyera në atë takim e më pas 60 minuta ka lëvizur në fushë për të tërhequr vëmendjen e gjermanëve por i dëmtuar, duke vënë në zbatim një truk taktik të trajnerit Loro Boriçi, rrëfen imazhin që pati ndeshja dhe rrjedhojat e dala nga analiza e saj. “Duke evituar deliret e madhështisë, mendoj se të bësh vlerësimet e duhura duhen ditur ekipet, loja e tyre, përbërja, koha e rrethanat e përplasjes etj. A kishte mundësi për trukime kjo ndeshje? Mos harrojmë që Gjermania vinte në këtë fazë eliminatoresh si nënkampione e botës. Ajo synonte kualifikimin dhe fitoren e Europianit të vitit 1968. Çdo rezultat përveç fitores atë e eliminonte. Madje mund ta fitonim ne, por gjyqtari na e mohoi golin, një gjyqtar austriak, pra gjerman. Ekipi shqiptar në atë ndeshje dha futboll cilësor që e vlerësoi edhe shtypi sportiv botëror. Në atë ndeshje Shqipëria mori një rezultat të madh përballë një skuadre nënkampione bote. Pra ai grup përbënte të njëjtin ekip që doli nënkampion bote në Angli, që shkëlqeu në Botërorin e vitit 1970, fitoi Europianin e vitit 1972 dhe fitoi Botërorin e vitit 1974. Lojtarët që luajtën me Gjermaninë në ato vite, 5 prej tyre janë në formacionin e shekullit XX të Gjermanisë. i vetmi që ka munguar në atë ndeshje të madhe në Tiranë ka qenë Franz Bekenbaueri. Edhe pse u eliminuan, trajneri Shen na lavdëroi për lojën që bëmë në fushë. Nga ekipi ynë i atyre viteve, vetëm pak jemi ende gjallë”, thotë Vaso.