Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të rikthehet pas disa vitesh. Festivali zhvilloi edicionin e dhjetë në vitin 2015 në Gjirokastër, por edicioni i radhës do të jetë në qershor të vitit që vjen. Lajmin për zhvillimin e festivalit e bëri me dije një ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti në rrjete sociale. Margariti shprehet se përgatitjet për zhvillimin e këtij festivali, që do të zhvillohet në qershor të vitit që vjen kanë filluar. “Viti 2023 vjen me lajme të mira! Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës rikthehet në muajin qershor. Parada e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve do të shpalosen në paradën që do të zhvillohet në qytetin e gurtë. Përgatitjet tashmë kanë filluar”, shprehet ministrja Margariti në Facebook. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Për zhvillimin e tij u shpreh edhe muzikologu akademik Vasil S.Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave. “Rikthehet pas 7 vitesh, Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, superstruktura e promovimit të trashëgimisë sonë shpirtërore. Qershor 2023!”, shkruan akademiku në rrjete sociale. Edicioni i 10-të i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës u mbajt në maj të vitit 2015 në qytetin e Gjirokastrës, por puna për organizimin e tij nisi që në krye të vitit 2014. Komisioni përzgjedhës i festivalit ishte i përbërë nga Qendra e Veprimtarive Folklorike, Ministria e Kulturës, studiuesit e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit. Grupi i realizimit artistik kishte në krye drejtorin artistik të festivalit, profesor Thoma Gaqi.
Festivali folklorik ndër vite
Qëllimi kryesor i këtij festivali është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij. Ky festival ka gjithashtu si qëllim të mbrojë, të promovojë dhe të popullarizojë në publikun e gjerë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh. Veprimtaritë e këtij festivali promovojnë dhe krijimet e reja folklorike me karakter improvizues, lojërave me karakter imitativ, pantonimik e humoristik. Sjellja në vëmendje e krijimeve të lashta, por duke ruajtur origjinalitetin e tyre, nuk mbetet jashtë fokusit të këtij festivali. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua për herë të parë në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Pas këtij festivali, ku morën pjesë të gjitha rrethet e vendit në çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988, në kalanë e Gjirokastrës janë zhvilluar rregullisht FFK-të. Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 festivali rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës.