“Kjo rinia jonë” me regji nga Silvio Goskova u vlerësua shfaqja më e mirë në festivalin teatror “Hapat”, që u zhvillua në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. E pranishme në ndarjen e çmimeve ishte dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti. “Në një atmosferë të jashtëzakonshme rinore, mes një energjie të bukur ndamë çmimet e festivalit teatror “Hapat”, i mundësuar nga Fondi i Teatrit për të Rinj, i Ministrisë së Kulturës. Mes aq shumë talentesh që mbushën teatrot jo vetëm në Tiranë, por edhe të tjera qytete të Shqipërisë, u zgjodhën më të mirët”, shkruan Margariti në Facebook. Aktori i ri më i mirë Urim Aliaj për interpretimin në shfaqjen “Koloneli Zog”; aktorja më e mirë Algiona Aga për interpretimin në shfaqjen “Koncerti”; regjia më e mirë Ina Morinaj për shfaqjen “Muji dhe Halili”. Vepra “Kjo rinia jonë” shkruar nga Kenneth Lonergan dhe me regji nga Silvio Goskova është një hulumtim teatror mbi përplasjet e adoleshencës me pjekurinë, që zbërthen ballafaqimin me të kaluarën e konfliktet midis gjeneratash. Vepra erdhi në skenë më parë premierë në teatrin “A. Z. Çajupi”, Korçë. Aktorë në role janë Juxhin Plovishti, Denada Llanaj dhe Silvio Goskova. Tre adoleshentë të humbur dhe të hutuar në kaosin e një qyteti të madh dhe të pasigurt përballen me realitetin kundrejt iluzionit, që kanë krijuar deri tani duke i vënë në përballje me dëshirat e tyre materiale në krahasim me atë se kush janë, kush duan në të vërtetë të jenë dhe çfarë kërkojnë. Fondi i Teatrit për të Rinj solli realizimin e 14 produksioneve teatrore. Shfaqje të ndryshme, që u shfaqën në skenën e Teatrit Eksperimental, por dhe në skenat e teatrove në rrethe. 14 shfaqjet teatrore që u realizuan nga ky fond ishin pjesëmarrëse në festivalin teatror “Hapat”, që nisi më 30 nëntor dhe vijoi deri më 13 dhjetor. Juria ishte e përbërë nga Aneta Malaj, Armela Demaj dhe Enke Fezollari.