“Pse nuk qëndron për mëngjes” është një histori unike, që nis me një takim të jashtëzakonshëm dhe vazhdon me një dinamikë aq sa komike po aq edhe rrënqethëse. Vepra teatrore u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” , në netët e festivalit teatror “Hapat”. Vepra e autorëve G.Stone & R.Cooney erdhi në skenë me regji nga Delvis Bejleri. Bela një 17-vjeçare në muajin e nëntë të shtatzanisë, në përpjekje për t’i shpëtuar një sherri agresiv, strehohet në shtëpinë e Dejv. Dejv një punonjës ministrie rreth të 40-tave, i divorcuar nga e shoqja gjendet i papërgatitur përballë kësaj situate. Pas shumë viteve që jetonte vetëm, me një motër të sëmurë mendërisht, papritur në shtëpinë e tij është një vajzë, një bebe dhe shumë debate e ndjenja. Vepra u soll në skenë për publikun nga dy aktorë Delvis Bejleri dhe Belkisa Zhelegu. Vepra teatrore është produksion i “Fondit të teatrit për të rinj” mbështetur nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe teatri “Bylis” Fier. 14 shfaqjet teatrore që u realizuan nga ky fond finalizohen me pjesëmarrjen në festivalin teatror “Hapat” që zhvillohet nga data 30 nëntor deri më 13 dhjetor. Shfaqjet luhen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, teatrit Metropol dhe teatrit privat “Zonja e Bujtinës”. Festivali ka natyrë kompetitive. Vlerësimet do të kryhen nga juria profesioniste e përbërë nga zj. Aneta Malaj, zj. Armela Demaj dhe z. Enke Fezollari. Çmimet që do të jepen janë: Shfaqja më e mirë; Regjia më e mirë; Aktori më i mirë; Aktorja më e mirë. Në fondin e të rinjve ka pasur një numër të lartë propozimesh, ku kanë qenë plot 39 të tilla dhe pjesët për të qenë në skenë janë zgjedhur nga bordi artistik i TKEKS. Projektet përfituese nga ky fond u realizuan nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental, ndërsa teatrot e rretheve mbështetën projektet përmes logjistikës teatrore.