“Zhurma e kohës” është shfaqja, që çel festivalin e veprës shqipe në teatrin Metropol, “Metrofest 6”. Shkruar dhe me regji e interpretim nga Rafael Hoxhaj kjo është një shfaqje e zhanrit të teatrit të lëvizjes. Shfaqja “Zhurma e kohës” është premierë, prej 8 dhjetorit në teatrin Metropol në Tiranë. Në materialin e teatrit rreth shfaqjes, thuhet se në koncept vepra trajton vetminë, humbjen e të dashurve, ndrydhjen që ne si shoqëri kemi ndaj historive tona, ndaj të shkuarës sonë, vështirësinë e shprehjes dhe pranimin e të vërtetave. Aktori nuk flet, por e tregon historinë vetëm me anë të lëvizjes, pantomimës dhe elementeve të kllounit. Vepra ka si personazh një aktor, i cili flet për jetën dhe përditshmërinë e tij, jashtë dyerve të teatrit. Aktori është gjithmonë në luftë me zhurmat e akrepave, orën dhe kohën si koncept, arrin të fitojë por kthehet shumë më përpara, tek momentet e lumtura të tij, i takon ata që pa dashje ja kanë shkaktuar vetminë, i jeton momentet pa frikë, pa paragjykime. Në thelb shfaqja është e bazuar në personazhe të jetës reale, kryesisht mosha të treta dhe historitë e tyre konkrete, ku jeta i ka përballur me humbjen e njerëzve të dashur, vetminë, me peshën dhe rëndësinë e kohës, vlerën e saj dhe dëshirën për të jetuar ose jo. As.regjisor Bujar Hoxhaj dhe muzika Rafael Marinaj, kostumograf Frenci Gjerasi. Shfaqja do të jetë në skenën teatrore në datat: 8, 9, 10, 11, 15, 16, 17, 18 dhjetor për publikun.
“Metrofest” ndër vite
Festivali teatror “Metrofest ” që zhvillohet prej disa vitesh në teatrin Metropol ka në fokus dramën shqipe. Një vit më parë teatri Metropol në Tiranë organizoi edicionin e pestë të festivalit dedikuar veprës shqiptare. Në edicionin e një viti më parë ishin përzgjedhur për t’u vendosur në skenë larmi tekstesh, që i përkisnin viteve 1900 dhe jo vetëm. “Metrofest 4” në dhjetor 2020 erdhi si festival i realizuar brenda kushteve të pandemisë globale. Teatri i prezantoi publikut nga distanca, atë që njihet deri më tani si drama e parë e shkruar në gjuhën shqipe “Emira” nga Antonio Santori, pjesa e parë e së cilës është botuar më 1883 nga Jeronim De Rada. Tragjikomedia “Emira” është një prej 3000 fletë dorëshkrimeve që Antonio Santori ka lënë trashëgimi, dhe është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani. Festivali “Metrofest” në edicionin e tretë në teatrin Metropol iu dedikua komedisë shqiptare. “Metrofest” solli atë edicion pjesë të viteve 1920-1930 dhe në skenën teatrore erdhën katër vepra shqiptare premierë për publikun, por dhe në vitet më parë fokusi ka qenë drama shqipe. Ky festival është menduar të nxisë punën e re dhe kërkimin artistik të fuqive krijuese, që duan të mbështesin gjallimin e veprave shqiptare dhe takimin e tyre me publikun e gjerë në një frymëmarrje të përbashkët.