Grupi i Enkelejd Alibeajt ka konfirmuar një tjetër kandidat për zgjedhjet e 14 majit. Pas Agron Kapllanajt në Mallakastër dhe kandidatëve në Kamëz, Kuçovë apo Lezhë, Alibeaj ka zyrtarizuar kandidatin për Krujën. Ai është Sabah Sheta. Sheta është kreu i degës së PD në këtë zonë dhe vetë dega e ka propozuar për kandidat. Ai e ka pranuar një gjë të tillë, duke e konfirmuar në rrjetet sociale. “Të nderuar bashkëqytetarë krutanë kudo që ndodheni. Askush më mirë se ju nuk e di se sa e vështirë është bërë jetesa dhe se si sot bashkia nuk i shërben qytetarëve dhe interesave të tyre. Unë jam çdo ditë me ju, duke përcjellë shqetësimet tuaja, hallet e përditshme. E di se mezi prisni që të vijë dita për ta ndryshuar situatën ku ndodheni e me votën tuaj të zgjidhni njeriun, që i njeh hallet tuaja dhe që do të përpiqet t’i zgjidhë ato. Duke marrë në konsideratë kërkesën tuaj të vazhdueshme, të cilën e dëgjoj kudo ku takohemi në mënyrë të përsëritur, duke vërejtur me keqardhje mungesën e shërbimeve dhe diskriminimin tuaj te regjimit të Edi Ramës, kam pranuar të kandidoj për Kryetar të Bashkisë së Krujës. E marr këtë vendim me përgjegjësi dhe i motivuar nga detyrimi për t’ju shërbyer ju dhe për të bërë gjithçka për një jetë më të mirë për bashkëqytetarët e mi. Për mua është nder dhe privilegj të jem kandidat i Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë që rrëzoi muret e izolimit nga bota perëndimore, partisë që lindi si shpresë e shqiptarëve, dhe unë do të bëj gjithçka që më përket mua që kjo parti të vazhdojë të jetë parti e vlerave dhe shpresave të shqiptarëve, aleate e vendeve demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. Le ta nisim së bashku këtë betejë për Krujën, krutanët, për të rinjtë dhe të rejat e bashkisë tonë. Bashkë ne mund të bëjmë ndryshimin për Krujën! Me shumë respekt dhe mirënjohje”, shkruan Sabah Sheta.