Historia e heronjve të folklorit shqiptar Muji dhe Halili, e sjellë në një formë moderne në teatër duke vendosur fokusin në problematikat e sotme sociale

0
206

Vepra teatrore “Muji dhe Halili” do të vijë premierë në skenën teatrore. Imagjinoni sikur Muji dhe Halili të ishin të njëjtët heronj, por në ditët e sotme, në Shqipëri. Historia e famshme e heronjve të folklorit shqiptar, Muji dhe Halili e sjellë në një formë moderne, eksperimentale thuhet  nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke vendosur fokusin në problematikat e sotme sociale. “Një histori dhe një shfaqje e përqendruar në folklorin tonë, në këngët tona epike, në muzikën shqiptare dhe traditat në dasma dhe në funerale”, shkruan teatri. Frymëzuar nga “Eposi i Kreshnikëve” vepra me regji nga Ina Morinaj nesër në mbrëmje shënon premierën në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për të vijuar dhe më 5 dhe 6 nëntor. Interpretojnë Ilia Kaci, Artemisa Kusi dhe Matia Llupa. Historia në këtë vepër teatrore fillon me këngën epike “Fuqija e Mujit”, e cila na bën edhe një prezantim të veprës, por edhe të personazheve. Gjithashtu, është fillimi i të shprehurit të personazheve për “heroizmin” si diçka që sot, duket e pamundur, dhe pritshmëritë që brezat e tjerë kanë për të rinjtë ditët e sotme. Do të pasojë kënga epike me titull “Gjogu i Mujit”, e cila është një impuls që personazhet dhe vetë aktorët të përfshihen në tema shqetësuese si: dëshira për t’u larguar nga ky vend. Kënga epike e radhës është “Martesa e Hailit”, ku trajtohet marrëdhënia në çift në ditët e digjitalizimit, e ndërthurur me traditat e vjetra shqiptare të dasmave. Historia vazhdon me këngën “Muji dhe Halili mas deket”, ku trajtohen tema të ndryshme të jetës dhe vdekjes, duke u gërshetuar me traditat shqiptare të funeralit, kryesisht në vajet e burrave në veri apo te vajet e femrave në polifoninë e jugut. E gjithë historia përfundon me këngën epike “Orët e Mujit”, ku personazhet flasin për ëndrrat, dëshirat dhe parashikimet për të ardhmen.

Fondi për veprat teatrore

Vepra “Muji dhe Halili” që mbrëmjen e nesërme vjen premierë është prodhim i Fondit të Teatrit për të Rinj, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Kjo vepër teatrore vjen në vijim dhe të atyre që janë vënë më parë në skena, që janë realizuar nga ky fond. Në këtë fond ka pasur një numër të lartë propozimesh, prej të cilave janë zgjedhur nga bordi artistik i TKEKS projekte fituese. Projektet përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental, ndërsa teatrot e rretheve mbështesin projektet e këtij fondi, përmes logjistikës teatrore. Prej projekteve që do të vihen në skenë, artistët e rinj kanë propozuar  pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe të dramaturgjisë së huaj. Shpërndarja gjeografike e projekteve është në Tiranë; Korçë; Durrës, Fier, Elbasan, Shkodër, Pukë dhe Vlorë. Në përfundim të punës për të gjitha veprat, do të organizohet një javë e dedikuar festivalit të teatrit për të rinj, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke e finalizuar me ndarjen e çmimeve për të gjitha kategoritë pjesëmarrëse, nga një juri profesioniste.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here