Kisha e Shën Nikollës në Voskopojë po i nënshtrohet restaurimit të plotë sa i përket arkitekturës ashtu dhe rikuperimit të afreskeve. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se është një sfidë më vete, që kërkon një kujdes dhe ekspertizë të veçantë nga mjeshtër të fushës. “Ndërkohë që janë në plan edhe 4 kisha të tjera për tu restauruar, të gjitha dëshmi të prekshme të qytetërimit, artit, dhe rëndësisë historike të Voskopojës. Edhe artizanati po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe në Korçë, me punime dore të zonjave korçare që po e trashëgojnë këtë traditë të bukur edhe te brezat e rinj, duke e parë këtë sektor si punësim dhe ndërtim të së ardhmes në vendin tonë”, shkruan Margairit në Facebook. Kisha e Shën Kollit (Nikollës) është një nga kishat më të mrekullueshme të Voskopojës. U ndërtua në vitin 1721 në lagjen “Rue”. Nga ana arkitektonike, i përket tipit bazilikal me tri nefe, me përmasa të brendshme 19.7 x 11 m. Përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati në anën jugore. Narteksi, me formë trapezoidale, ka në pjesën qendrore një seri kolonash, të cilat lidhen me njëra-tjetrën dhe me muret perimetrike me anën e një sistemi harqesh, duke formuar ndarje drejtkëndëshe që mbulohen me qemerë gjysmë cilindrikë. Hajati, i cili shtrihet në të gjithë anën jugore të kishës, është i hapur dhe mbështetet mbi një harkadë kolonash të ulëta prej guri. Kulla e kambanores ngrihet në anën juglindore, mbi portën hyrëse të oborrit të kishës. Në oborrin e kishës ekzistonin edhe ndërtesa të tjera, si kisha e Shën Efthimit dhe qelitë që i shërbenin nevojave të manastirit, të cilat u shkatërruan nga zjarri i madh që ra në vitin 1916. Muratura e kishës është ndërtuar me kujdes, me gurë të latuar të lidhur me suva dhe me fugatura elegante. Muratura e hajatit paraqet një dekorim të pasur, të realizuar përmes kombinimit të tullave dhe gurëve dhe të përdorimit të motiveve të larmishme, kornizave dhe shiritave.