Filmi “Koncert në vitin 1936” prodhim i vitit 1978 në proces restaurimi, specialistët po punojnë për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara

0
171

Filmi shqiptar “Koncert në vitin 1936”  është në proces restaurimi. Filmi tregon për vizitën e dy artisteve shqiptare (këngëtare dhe pianiste) në qytetin e Lushnjës gjatë kohës së monarkisë shqiptare, gjë që tronditi jetën e një qyteti tejet konservator. Prodhim i vitit 1978, filmi me skenar nga Kiço Blushi dhe Dhimitër Shuteriqi është me regji nga Saimir Kumbaro. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit Shqiptar ( AQSHF) shprehet se janë specialistët e restaurimit ata që po punojnë për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara të këtij filmi. “Një pasuri e shtuar dhe e shpëtuar për trashëgiminë audiovizive shqiptare. Po bëhet një punë e mrekullueshme nga ekipi i specialistëve të restaurimit dixhital Koushik Bhattacharya dhe Ritajit Raychaudhuri në Mumbai Indi, për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara të filmit “Koncert në vitin 1936”, thuhet nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. Filmi “Koncert në vitin 1936” është pjesë e koleksionit në AQSHF. Tashmë në proces restaurimi, AQSHF ka ndarë dhe imazhet e këtij filmi. “Në kuadrin majtas shihet imazhi i përftuar nga skanimi i negativit të dekoloruar ku mungon ngjyra e kuqe në kanalet RGB; në kuadrin e mesit shihet rikthimi i kanalit të ngjyrës së kuqe R; dhe në kuadrin djathtas shihet një TEST për color grading të imazhit”, thuhet nga Arkivi i Filmit.

Filmi dhe koleksioni i arkivit

Prodhim i Kinostudios, në rolet e filmit janë Manushaqe Qinami, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Bep Shiroka, Roland Trebicka, Gjon Karma, Albert Verria, Mirush Kabashi, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Nikolla Llambro, Enver Dauti, Ilia Shyti, etj. Muzika e filmit mban emrin e kompozitorit Limoz Doizdari. Një këngëtare e re Donika dhe një pianiste Eleni nisin një turne koncertesh në qytete të vegjël provincialë, duke kaluar me pianon e tyre edhe nëpër fshatra. Dy artistet e reja takojnë shumë mikpritës midis të cilëve popullin e thjeshtë dhe autoritetet lokale që kërkojnë të duken oksidentalë, por që në thelb janë të konfrontuar me njëri -tjetrin. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.  Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa te fotove, materiale të promovimit të veprës, partiturat e muzikës së filmave dhe posterat e tyre. Ky dokumentacion origjinal shoqërohet me të dhëna të tjera të shumta bibliografike, materiale shtypi, botime të ndryshme për filmin, fotografi të historisë së kinematografisë, të dhëna biografike të kineastëve shqiptarë, si dhe një dokumentacion aparaturash dhe gjithçka tjetër, që ka të bëjë me muzeologjinë e filmit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here