Fundjava e fundit e muajit e tetorit solli “PriFest” në Tiranë. Projekti i përbashkët i “Tulla Tiranë” dhe “PriFest Prishtinë” ishte një pjesë e festës filmike të edicionit të 14-të, që u mbajt kohë më parë në Prishtinë, duke shfaqur filmat fitues në Tiranë. Në datat 28-29-30 tetor në “Tulla Culture” u shfaq programi i larmishëm filmik, pasuar me festë muzikore dhe një panel diskutim mbi gjendjen e industrisë filmike shqipfolëse. Pas ceremonisë së hapjes u shfaq filmi ukrainas “Klondike” nga Maryna Er Gorbach, Ukrainë/Turqi 100 minuta, fitues i çmimeve Best Global dhe Media Jury Prize në “Prifest 14”. Të shtunën në ora 13:00 ishte filmit i metrazhit të mesëm “Cow Bells” nga Charles Habib-Drouot, Belgjikë/Francë 45 minuta, fitues i çmimit Best Medium Length Film në “PriFest 14”. Po të shtunën në ora 19:00 ishte shfaqja e 2 filmave të shkurtër “North Pole” nga Marija Apcevska, Maqedoni e Veriut/Serbi, 15 minuta dhe “To Vancouver” nga Artemis Anastasiadou, Greqi, 24 minuta, fitues të çmimeve filmi më i mirë i shkurtër dhe mirënjohje speciale. Të dielën 30 tetor programi kishte në orën 13:00 debatin “Kinematografia në gjuhën shqipe: sfidat dhe mundësitë” dhe në ora 19:00 shfaqja e filmit dokumentar “Come on time” (UK, USA) 40 minuta, nga Chris Vernon fitues i çmimit Best PriDox në “PriFest 14”. “PriFest 14” i është dedikuar kujtimit për Vjosa Berishën, drejtoreshën dhe bashkëthemeluesen e festivalit. Eventi kulturor “PriFest” në Tiranë tek “Tulla” u mbështet nga Bashkia Tiranë. Festivali ndërkombëtarë i filmit në Prishtinë, ndryshe i njohur si “PriFest”, është një festival filmi, i cili shfaq produksione të ndryshme filmash të mirënjohur. “PriFest” është pohuar si një event unik në Kosovë, ruan statusin e festivalit ndërkombëtar në vend ku garojnë filma të metrazhit të gjatë dhe të mesëm nga Europa, Ballkani dhe bota.