Vepra “Pasaporta” nga Enver Petrovci premierë në Tiranë, regjisorja Joana Omeraj: Fabula e veprës më joshi që ta vija në skenë

0
211

Vepra teatrore “Pasaporta” ka në qendër dy të rinj. Shkruar nga Enver Petrovci dhe me regji nga Joana Omeraj vepra u shfaq premierë në Tiranë. Vepra erdhi për publikun nën interpretimin e aktorëve Altea Alushi dhe Amri Hasanlliu. Vepra u shfaq në sallën “Black Box” pranë Universitetit të Arteve dhe më herët vetë Petrovci shprehej për premierën në rrjete sociale, si dhe për artistë të talentuar dhe premtues për skenën. Vepra u shfaq për tre net, 24, 25 dhe 26 tetor. Regjisorja Joana Omeraj tregon se ishte fabula që përmbante pjesa “Pasaporta” ajo që e nxiti që ta vinte në skenë. “Mua më është propozuar në fillim kjo vepër e Enver Petrovcit. Pastaj dalëngadalë fillova të njihesha me fabulën e veprës dhe më joshi, që ta vija në skenë”, tregon regjisorja Joana Omeraj. Vepra teatrore “Pasaporta” për tre net u bë pjesë e jetës artistike në Tiranë. “Pasaporta” ka në qendër dy të rinj, një djalë dhe një vajzë në kulmin e rinisë së tyre. Regjisorja Omeraj thotë se vënia në skenë konfronton rininë e kohëve të sotme. “Ata takohen në një mënyrë jo fort normale, dhe ku ditë pas dite arrijnë të njihen me njëri-tjetrin dhe të kuptojnë se jeta e tyre deri tani nuk ka qenë si të thuash kulmi i një jetese të suksesshme dhe me arritje të realizuara nga vetë ata. Pra vënia në skenë konfronton rininë e kohëve të sotme, ku gjithnjë si fillim duan të zgjedhin rrugën e lehtë dhe pastaj fillon pendimi”, tregon regjisorja rreth shfaqjes teatrore. Skenografia dhe kostumografia nga Danjela Xhetani dhe as.regjisor Blerti Kastrati.

Puna me veprën

Pjesa teatrore erdhi në skenë me dy të rinj, për të cilët regjisorja Joana Omeraj vlerëson bashkëpunimin. Ajo thotë se bashkëpunimi me aktorët ka qenë shumë i mirë dhe frytdhënës. Omeraj tregon se me aktoren Altea Alushi ishte hera e parë, që punonte në një projekt. “Është një aktore mjaft bashkëpunuese, energjike dhe me një të ardhme të mirë si një aktore e re. Kurse me aktorin Amri Hasanlliu, i cili është gjithashtu dhe kompozitori i shfaqjes është disata herë që bashkëpunoj me të dhe kemi krijuar një besim në punën tonë, që nga koha e shkollës, duke qenë se Amri ka disa vite eksperiencë vjen si një pikë e fortë e shfaqjes sime, por edhe si një energji dhe partneritet shumë i mirë me Altean, përshtatja e tij me idetë e mia thjeshtëzon shumë aspektin kreativ nga të gjitha palët”, thotë regjisorja. Joana Omeraj është pjesë e teatrit Metropol dhe po punon në projektet aktuale, ndërkohë tregon se gjithashtu është duke shqyrtuar një vepër tjetër. “Por dua ti jap kohën e vet dhe vëmendjen e duhur”, thotë regjisorja Omeraj. Enver Petrovci ka arritur karrierë të suksesshme në teatër. Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, por edhe më gjerë. Është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here