Vepra teatrore “Tri motrat” e Çehovit shënon këtë mbrëmje premierën me regji nga Qëndrim Rijanit, në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Si regjisor Rijani nuk ka munguar me shfaqjet e tij dhe në skenat e Shqipërisë, ndërsa këtë herë i vjen publikut me një vepër të Çehovit. Tri motrat Prozorov janë dhe rolet rreth të cilave sillen ngjarjet: Olga motra e madhe që e luan Amernis Nokshiqi , Masha që e luan Xaka Jonuzi dhe motra e vogël Irina që e luan Sabina Memishi. Vepra vjen në skenë këtë mbrëmje për të vijuar edhe në datën 29 tetor dhe në rolet e tjera janë Arben Rasimi, Sara Bajrsmi, Drita Kaba Karaga, Adem Karaga, Hamdi Rashidi, Fisnik Zeqiri, Dritëro Ame, Abedin Aliji, Rrahim Ramadani, Mentor Kurti, Genci Mirzo, Hetem Etemi. Në veprën “Tri motrat” të Anton Çehovit kompozitor është Trimor Dhomi, koreograf Artan Ibershimi, kostumografe Maria Papuçevska dhe skenograf Bujar Muça. “Tri motrat” është e treta nga katër dramat kryesore të Anton Çehov dhe ndoshta më e përsosura e gjenisë së tij artistike. Ai jep kronikën e fatit për tre vjet e gjysmë të katër fëmijëve të një koloneli të vdekur së fundmi në ushtrinë ruse: Irina e ëmbël, më e reja dhe më mbresëlënëse; Masha e stuhishme, e cila është bllokuar në një martesë pa dashuri; Olga praktike, e cila nuk rrëmbehet kollaj dhe vëllai i tyre Andrei, romanca e pamenduar e të cilit sjell telashe dhe lojërat kompulsive të fatit bëjnë kërdinë në financat e familjes dhe përfundimisht i detyrojnë ata të largohen nga shtëpia e tyre. Bashkë me Henrik Ibsenin dhe August Strindbergun, Çehovi referohet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër. Qëndrim Rijani është regjisor shqiptar i teatrit, operës dhe filmit. Karriera e tij është e pasur me vepra të huaja e shqiptare të shfaqura në shumë vende të Evropës të cilat janë vlerësuar me çmime nëpër festivale.