Pedagogët janë ngritur sërish në protestë ditën e sotme. Mëngjesin e së premtes, ata janë mbledhur para Universitetit Politeknik duke vijuar me kërkesat e tyre drejtuar qeverisë si dhe duke njoftuar edhe përshkallëzimin e protestës.
Ata kanë njoftuar se ditën e hënë në orën 11:00 do të mbahet protestë kombëtare, ndërsa thanë se nëse nuk do të ketë rritje të pagave, ata do të vijojnë protestën.
“Të hënën në orën 11:00 protestë kombëtare, ku të gjithë pedagogët dhe studentët i ftojmë të jenë këtu dhe të diskutojmë. Le të kthehet ky peticion si një nismë për ndryshimin e situatës në universitete. U kërkojmë autoriteteve të dekanateve që të mbledhin Asambletë dhe të vendosin mbi mënyrën si ata do mbajnë qëndrim ndaj peticionit. Kërkojmë nga përfaqësuesit e studentëve të mblidhen dhe të diskutojnë për realizimin e këtij peticioni, që kërkesat të kenë impakt të përbashkët si te pedagogët ashtu dhe tek studentët. Nëse nuk do të ketë rritje të pagave, do vijojmë me protestën”, u shpreh kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi.






































