Kombëtarja i mbylli me zhgënjim ndeshjet e saj në Ligën e Kombeve, duke mos ia arritur objektivit që i kishte vënë vetes për vendin e parë në grup, madje nuk zuri as vendin e dytë, por u rendit e treta dhe e fundit, pasi Rusia u përjashtua. Me pak fjalë, Shqipëria u rendit pas Izraelit (8 pikë), Islandës (4 pikë), në vend të fundit me vetëm 2 pikë dhe kjo konsiderohet hap prapa në ecurinë e ekipit jo vetëm në këtë kompeticion por në disa vite. Madje përfaqësuesja e Shqipërisë ka një vit që nuk fiton asnjë ndeshje ndërkombëtare, edhe pse në Federatën Shqiptare të Futbollit servilët e presidentit Duka nuk lënë panel dhe media ku tu jepet rasti të deklarojnë se ky është grupi më i mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Por ky qëndrim i tyre nuk reflektohet në lojë e rezultate, pasi jemi shumë dobët në përfaqësim. Në fakt, që ka elementë të rinj cilësorë e të mirë ka, por nuk është punuar mjaftueshëm që ky talent e kjo cilësi të shprehet në ndeshjet zyrtare. Loja e skuadrës në ndeshjet e Ligës së Kombeve ka qenë e paqëndrueshme, me dy fytyra, ku një pjesë luhej e pjesën tjetër shthurej grupi krejtësisht. Ekipi pëson, që do të thotë se ka mbrojtje të dobët, por shënon shumë pak, që do të thotë se sulmi nuk është mjaftueshëm efikas. Zhgënjimi duhet të sillte dorëheqjen e trajnerit Edi Reja, por trajneri nuk e dha dorëheqjen, madje si të mos mjaftonte kjo, FSHF nxitoi pak ditë më parë të deklaronte se trajneri veteran italian ka kontratë me federatën deri në fund të vitit. Hajde merre vesh! Nga njëra anë tifozët që duan ndryshime, por edhe nevoja për të sjellë frymë të re, e nga ana tjetër qëndrimi i federatës as mish e as peshk. Ditët e fundit kanë dalë në skenë emra të ndryshëm trajnerësh, nga Di Biaxho e ndonjë tjetër, por nuk mungojnë as emrat vendas.
Trajneri vendas ka disavantazhe
Një nga arsyet që trajneri vendas nuk shihet opsion real, lidhet me problemin e ndikimeve që mund të ketë rreth formacionit. Me pak fjalë, një vendas nuk mund t’i përballojë presionit të madh të grumbullimeve, si pasojë e njohjeve dhe ndërhyrjeve. Kjo nuk mund të ndodhë me një teknik të huaj, i cili nuk ka njohje dhe rrjedhimisht vendos sipas instiktit të tij profesional. Shqipëria ka trajnerë të mirë dhe vitet e fundit një brez cilësor po del nga pankinat tona, ku spikasin Daja, Josa, Shkëmbi e ndonjë tjetër, por a janë në gjendje ata ta përballojnë këtë presion? Hasi mund të ishte një opsion më i mirë, pasi ka përvojë ndërkombëtare dhe ka drejtuar skuadër në Champions League. Por Hasi duket se nuk është në “ëndrrat” e Dukës. Ndërkohë, pak ditë më parë, Sokol Kusha dha mendimin e tij për mundësinë e një trajneri vendas. “Shqipëria kohët e fundit ka një grup trajnerësh shumë të mirë. Mund të përmend Dajën, Josën apo Shpëtim Duron, por pse jo edhe ndonjë nga të rinjtë, si Shkëmbi etj. Por ajo që më shqetëson është gjendja e inferioritetit e trajnerit shqiptar. Vijnë të huajt, edhe i paaftë, plus palaço dhe na dalin më të mirë. Nëse një shqiptar e merr përsipër ai është i aftë. Por sa do të ndikojë ambienti, shoqëria? Nëse vjen ndonjë teknik shqiptar në krye të Kombëtares, atëherë a e duron dot ai presionin, a i bën ballë? Prandaj s’është kaq e lehtë”, tha ai.