Derbi Partizani-Tirana, i vetmi që mbush stadiumin, impiantet e tjera me shkallë të zbrazura

0
122

Stadiumet në Shqipëri gjithnjë e më shumë po pakësohen nga tifozët dhe kjo lidhet jo vetëm me emigrimin e shumë të rinjve, por edhe më rënien e interesit, sidomos në rrethe. Disa prej klubeve kryesore të vendit luajnë në kategoritë inferiore dhe kjo ka sjellë rënien e shikueshmërisë në qytetet e Elbasanit, Vlorës, Lushnjës, Kavajës, Beratit, Gjirokastrës, Fierit, Pogradecit, Lezhës, Sarandës, Vorës, Peshkopisë etj. pra, me përjashtim të Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës, qytetet e tjera të mëdha nuk kanë ekipe në elitë dhe kjo ka shkaktuar jo pak rënie të shikueshmërisë në impiante. E dyta lidhet me nivelin e dobët të kampionatit tonë, një nivel që e dëshmoi më mirë fakti se klubet tona në sezonin e fundit nuk arritën të kalonin më shumë se turi i dytë kualifikues i Conference League. Padyshim që kjo u shpreh në rënien e nivelit të renditjes në UEFA, ku Superiorja jonë humbi disa pozicione, krejt e kundërta me Kosovës që përmirësoi gjashtë vende dhe ka një ekip në fazën e grupeve të kësaj lige (Ballkani luan në grupet e Ligës së Konferencës). Një element i tretë lidhet me dhunën në shumë ndeshje futbolli, gjë që i step njerëzit dhe sportdashësit të vijnë në stadiume. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht, por derbi Partizani-Tirana është një përjashtim. Afro 15 mijë spektatorët në “Air Albania”, dëshmuan se ka ende nerv për të pasur spektakël dhe audiencë të lartë.

Derbi më shumë tifozë se Kombëtarja

Skuadra e Partizanit e humbi derbin, por fitoi rreth 120 milionë lekë të vjetër në mbrëmjen e së dielës. Ndaj Tiranës ishin të pranishëm 14 250spektatorë, më shumë sesa mblodhi Kombëtarja në ndeshjen e fundit me Islandën. Natyrisht gjithmonë mund të bëhet më mirë, por duket thënë se këto janë shifra mjaft të mira dhe domethënëse, që dëshmojnë qartë faktin se nëse tifozëve u jep një produkt cilësor, siç ishte loja e këtij derbi, por edhe e atyre të se zonit të kaluar, ata automatikisht do të afrohen. Kjo është pozitive për të gjithë futbollin tonë, që po vuan shumë zbrazjen e stadiumeve, por edhe për Partizanin, që merr një dorë të mirë parash, të cilat në vendin tonë nuk sigurohen nga shumë burime. Duhet thënë se Partizani e mban ende vendin e parë në renditje, pavarësisht humbjes, duke qenë 15 pikë, një më shumë se Tirana.

Partizani zbret menjëherë në stërvitje, mendon për Vllazninë

Partizani nuk ka pushuar pas derbit, por ka nisur menjëherë punën për të harruar atë humbje ndaj Tiranës, tejet e dhimbshme për nga mënyra se si erdhi. Tashmë nis menjëherë puna për të përgatitur ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë, e cila luhet vetëm të premten, pra pas tri ditësh. Në seancën e zhvilluar në paraditen e djeshme, lojtarët titullarë në derbi zhvilluan stërvitje me ngarkesë të ulët fizike, me synimin për të çlodhur muskujt. Masanga Matondo është mungesa e sigurt për Partizanin ndaj Vllaznisë. Mesfushori u ndëshkua me karton të kuq në minutën e fundit të ndeshjes me Tiranën dhe është i pezulluar në këtë javë. Ndërkohë, edhe Telushi pritet të mungojë, pas dëmtimit që pësoi ndaj bardhebluve, ku nuk luajti dot më shumë se 10 minuta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here