Fillon gjuetia e parave të pista në Shqipëri, Yuri Kim fut në ankth pushtetarët e lartë të korruptuar, 8 hetues financiarë pritet të “zbarkojnë” në SPAK, ja ç’po përgatit SHBA

0
130

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ua ka bërë dje të qartë të gjithë atyre që mbështesin Sali Berishën e shpallur “non grata” për korrupsion dhe minim të demokracisë se nuk duhet që të shkojnë pas pushtetit, por pas ligjshmërisë. Gjatë një interviste për emisionin “Opinion” në “TV Klan”, diplomatja Kim ka theksuar se asnjë zyrtar amerikan nuk do takojë Berishën, i cili është në listën e zezë, por do të njohin vetëm atë pjesë të Partisë Demokratike që është në Parlament. Edhe pse Berisha e quan veten kryetar të PD, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, theksoi se njeh deputetin demokrat Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kreut në detyrë i kësaj force politike. Po ashtu, ambasadorja e SHBA në Shqipëri, deklaroi se SPAK ka goditur krimin në vendin tonë. Zonja Kim ka bërë një bilanc të aseteve të sekuestruara nga SPAK, duke thënë se është shumë herë më i lartë se ato asete që drejtësia shqiptare sekuestronte në 10 vite para se të ngrihej SPAK. Madje, kryediplomatja amerikanë në vendin tonë zbuloi se tashmë në SPAK do të vijnë edhe tetë hetues financiarë, të cilët do të zbulojnë se si i fshehin paratë personat e botës së krimit.

– Zonja ambasadore, si fillim më lejoni t’iu po pyes, a mendoni ende se SPAK mund t’ia dalë?

Ambasadorja Kim: Absolutisht.

-Jeni e sigurt?

-Ambasadorja Kim: Po!

-Sepse shumë njerëz mendojnë se SPAK bën diçka sa për fasadë, por jo gjërat reale. Le të themi, drejtësi selektive. Kërkojnë njerëzit që nuk janë më në pushtet dhe nuk shohin ata që janë vërtet të fuqishëm në Shqipëri në këtë kohë…

Ambasadorja Kim: Epo, çfarë do të thuash me këtë, Blendi? Po të intervistoj unë tani ty. Çfarë do të thuash me njerëz jo në pushtet? Kush duhet të jetë në burg dhe mbi ç’bazë përpara se njerëzit të mendojnë se reforma në drejtësi është reale?

– Po, absolutisht, njerëzit që kanë pushtet në Shqipëri.

Ambasadorja Kim: Okay, deri tani, po të jap disa…

-Por jo drejtësi publike, drejtësi me fakte dhe ligj.

-Ambasadorja Kim: Okay, po të jap disa të dhëna. SPAK deri më sot ka një përqindje dënimesh 90%. Me fjalë të tjera, kur padisin dikë, dhe e çojnë atë person në gjyq, 90% të kohës, vendimi është për fajtor, i merren asetet, dhe njerëzit shkojnë në burg. Për 12 vitet përpara vitit 2019, sistemi i drejtësisë, prokurorët e posaçëm këtu kishin kapur diçka tek 20 milionë euro asete, dakord? Për mbi 10 vjet.

-Po…

Ambasadorja Kim: Prej reformës në drejtësi, nga dhjetori 2019 dhe gjatë gjithë vitit 2021, SPAK ka mundur të marrë 70 milionë euro asete. Shtatë, zero. Shtatëdhjetë milionë euro. Kjo përfshin ndërtesa, biznese, para në banka. Deri më sot, në 2022…

– Të ngrira përkohësisht apo…

-Ambasadorja Kim: Jo, po flas për…

-Përfunduar, le të themi, vendimi përfundimtar…

 Ambasadorja Kim: Po, po. Deri më sot, kanë sekuestruar diku tek… për shembull vetëm në korrik, ishte një rast me mbi 10 milionë euro asete të kapura.

-Cili rast?

 -Ambasadorja Kim: Nuk e kam emrin e rastit, por është mbi 10 milionë euro asete. Dhe, me këtë prirje, mendoj që në këtë vit 2022, do të arrijnë mbi 70 milionë, dhe me siguri do jetë më afër 100 milionëve. SPAK tani ka 60 hetues me kohë të plotë dhe të gjithë kanë marrë trajnim të posaçëm nga FBI e SHBA në Kuantiko. SPAK po merr edhe tetë hetues financiarë të dedikuar. Pra, këta do të shohin se ku janë fshehur asetet në mënyrë që prokurorët t’i kapin ato.

-Po ndihmoni ju për këtë?

-Ambasadorja Kim: Po. Dhe kjo vërtet që do t’i godasë kriminelët tek xhepi i tyre ku ka vërtet vlerë. Nga viti 2021, numri i hetimeve që SPAK ka bërë me vendet e BE-së është më shumë se dyfishuar. Më shumë se dyfish edhe me ne. Tani do të kemi Agjencinë e Ligjzbatimit për Drogën që do ngrejë një prani në Shqipëri. Dhe, kjo është me shumë rëndësi. Më lejo t’i kthehem pikës tuaj fillestare për mosmarrjen me njerëzit që janë në pushtet…

-Gjithashtu, dua t’ju pyes për marrëdhënien tuaj me Partinë Demokratike. Ju gjithnjë mbështesni një anë, Partinë Demokratike në Parlament, dhe me mbështetjen e Parlamentit, dhe në anën tjetër është Partia Demokratike, le të themi, e udhëhequr nga Sali Berisha. Problemi është se ju mbështesni këtë grup në Parlament. Por ky grup duket se ka dobësi në mbështetjen e bazës, dhe ana tjetër, grupi i cili ka më shumë mbështetje nga baza, ata nuk mbështeten nga ju.

 -Ambasadorja Kim: Nuk do të… -Është një test matematike…

-Ambasadorja Kim: Nuk është garë popullariteti për ne. Për ne ka të bëjë me shtetin ligjor. Ne u takuam me Z. Alibeaj në detyrën e tij si kryetar i grupit parlamentar dhe si kryetar në detyrë i Partisë Demokratike. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të jemi të qartë mbi shtetin ligjor. Nuk mund thjesht të shkosh në anën e atij që ka më shumë pushtet. Do të ishte paligjshmëri.

-Më shumë mbështetës…

-Ambasadorja Kim: Mendoj se kjo është e diskutueshme por, sidoqoftë, e kuptoj çfarë doni të thoni. Për ne, si institucion, për mua si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit, unë takohem me njerëzit që njihen nga ligji. Këtë do të vazhdoj të bëj. Mund t’ju them se në asnjë moment nuk do të jetë e mundur për mua apo për ndonjë zyrtar të Shteteve të Bashkuara që të takohet me dikë që të përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minimin e demokracisë. Kjo nuk do të ndodhë.

-Nuk po flas për Zotin Berisha, por edhe për njerëzit e tjerë që janë mbështetës dhe janë në anën e tij të Partisë Demokratike. A keni marrëdhënie me këta njerëz? -Ambasadorja Kim: Ne flasim me persona të ndryshëm.

-Dakord. Nga ana tjetër, do t’ju pyes për ish-Drejtorin e Policisë së Shtetit, Z. Nano. Ai u largua nga pozicioni i tij pas një vendimi të qeverisë. Ishte një histori e ndërlikuar. 48 orë, në fillim ai u largua, pastaj u detyrua të largohej. Pas kësaj, ju bëtë një koment dhe thatë se kishit punuar shumë mirë me Z. Nano. A ishte kjo një ndërhyrje në vendimin e qeverisë?

 -Ambasadorja Kim: Jo, ishte pohim fakti. E keni parë se ne shpesh bëjmë deklarata të tilla kur dikush me të cilin kemi punuar shumë mirë largohet nga detyra. Dhe është e vërtetë që ne e vlerësojmë Z. Nano dhe bashkëpunimin e tij me ne. Ne mendonim se ai ishte një partner i mirë për ne kur drejtonte njësinë kundër terrorizmit. Dhe më pas kur ishte drejtor i policisë.

-A ishte surprizë për ju largimi i Z. Nano nga detyra?

-Ambasadorja Kim: Nuk e prisnim.

-Le t’i kthehemi pastrimit të parave dhe kriminelëve. Ne kemi probleme së fundmi me krimin e organizuar në Shqipëri, me bandat jashtë vendit. Po punojmë në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Belgjikë, dhe po sjellim këtu problemet e tyre, të gjitha paratë e tyre, por gjithashtu edhe problemet që ata kanë mes tyre. Problemi është, a mendoni se Shqipëria po bëhet një vend shumë problematik në lidhje me krimin e organizuar? Sipas informacionit tuaj?

Ambasadorja Kim: Mendoj se Shqipëria ka një reputacion të keq. Mendoj se këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri është i njohur. Ato shprehen në raporte të ndryshme që nxjerrim çdo vit. Dhe, fatkeqësisht, ato pasqyrohen gjithashtu edhe në faktin që Shqipëria është në listën gri të të Task Forcës për Veprim Financiar. Ky është institucioni evropian i cili shqyrton praktikat financiare në mbarë botën. Dhe ata përdorin terma si mungesë strategjie për të përshkruar mekanizmat e Shqipërisë kundër pastrimit të parave. Prandaj është shumë e rëndësishme. E di, në fillim të intervistës sonë, unë fola mbi zgjedhjen që duhet të bënte Shqipëria, për zgjedhjen që duhet të bënin udhëheqësit shqiptarë. Duhet ta bëni këtë zgjedhje tani. Duhet të zgjidhni kush e ka në dorë këtë vend. Do ta kenë njerëzit e zakonshëm? Do ta kenë kriminelët? Kush do të ketë në pronësi tokën tuaj, të gjithë ato hotele dhe kush do të marrë përfitimet?

-Ato gradaçela në fakt, askush nuk e di se nga vijnë paratë për to…

-Ambasadorja Kim: Pikërisht… Duhet të jesh në gjendje të shpjegosh të gjitha këto dhe duhet të marrësh hapa të vërtetë për të parandaluar pastrimin e parave. E di që ka pasur shumë diskutime mbi amnistinë fiskale…

-Do t’ju pyes për amnistinë fiskale, jam plotësisht dakord me ju mbi pastrimin e parave. Por, ka një mentalitet ndryshe në Shqipëri. Dhe do të të thonë se njerëzit mendojnë: pse jo, le të themi, paratë e zeza, të mos vijnë në Shqipëri, ato para vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Belgjika, vende shumë demokratike me ligje të forta, dhe përse ato para të mos vijnë në Shqipëri për të ndërtuar vendin. Disa njerëz të tjerë thonë se, unë se di, por që edhe Nju Jorku apo Londra janë ndërtuar me para të pista.

-Ambasadorja Kim: Mendoj se ky është një argument i tmerrshëm.

-Por është argument…

-Ambasadorja Kim: Është argument, por është një argument i tmerrshëm. Nëse do të shkonit në atë drejtim, do të vinit në rrezik anëtarësimin e Shqipërisë dhe kandidimin për të qenë anëtare e BE-së. Dhe ky është një vend që do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga të qenurit pjesë e BE-së. Por duhet të bëhet edhe një vend që do të japë shumë dhe do të kontribuojë në begatinë dhe sigurinë e Bashkimit Europian. Nuk mund të jetë vetëm merr, merr, merr. Prandaj, duhen ndërmarrë disa hapa këtu që ta bëjnë Shqipërinë më transparente, që do ta ndihmojë të tejkalojë mangësitë strategjike, që do t’i përmirësojë imazhin në mbarë botën. Shpresoj që shumë e më shumë njerëz të shohin Shqipërinë që unë shoh, që miqtë e mi shohin kur vijnë për vizitë, që është një vend që është shumë i bukur, me njerëz që janë jashtëzakonisht bujarë dhe punëtore, dhe të cilët e dinë se e ardhmja e tyre është europiane.

– Zonja ambasadore, a mendoni vërtet se në Shqipëri ka influencë ruse ose kineze? Ose përpjekje për të ndikuar?

 -Ambasadorja Kim: Rusët, kinezët dhe të tjetër janë në përpjekje të pareshtura që synojnë të ndikojnë…

-Edhe këtu?

Ambasadorja Kim: Kështu mendoj.

-Edhe në media?

-Ambasadorja Kim: Po.

-A keni informacion ose gjëra konkrete? Informacion konkret?

-Ambasadorja Kim: Po.

-Mund ta ndani me ne?

-Ambasadorja Kim: Jo.

-Jo? Por ju i dini?!

-Ambasadorja Kim: Po.

 -Edhe në media…

-Ambasadorja Kim: Po.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here