Bomba amerikane që tronditi kancelaritë evropiane me fondet ruse për disa parti të më shumë se 20 vendeve, i ka lënë institucionet dhe opinionin publik në pritje për të kuptuar se si disa politikanë të lartë janë të lidhur ekonomikisht me Kremlinin. Nga mediat e huaja, po marrim rastin e gazetës italiane “Il Fatto Quotidiano”, raportohet se në Itali po zhvillohet një debat shumë i fortë për raportin e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara që ka dalë së fundmi se Rusia, që nga viti 2014 ka financuar partitë politike dhe kandidatët në mbi 20 vende me 300 milionë dollarë për të rritur ndikimin e saj në botë. Politika italiane kërkon që amerikanët të nxjerrin të tjera informacione pasi në këtë raport që po bën bujë, nuk përmendet asnjë emër, pasi të dhënat po mbahen shumë sekret. Kjo ka bërë që të shtohen aludimet dhe sulmet në politikë, siç po ndodh në Shqipëri, ku informacioni luhet “si të vijë për mbarë” dhe jo nga media “të dorës së tretë”, por nga vetë “Zëri i Amerikës”, e cila ka shkuar më thellë se nga të gjitha mediat e tjera, madje dhe ato më në zë nëpër botë, pasi ka folur jo vetëm me vende, por edhe me personazhe politike. “Zëri i Amerikës”, tha se Partia Demokratike në kohën kur e drejtonte Lulzim Basha ka marrë fonde nga Rusia. Ky informacion ka dalë nga “Zëri i Amerikës”, teksa i referohet një burimi të DASH, por pa cituar emrin e burimit dhe gjithçka mbetet në formë anonimati.
Ja si mashtroi grupi i Berishës për implikimin e Bashës
Akuzat e pabaza të “Zërit të Amerikës” për Lulzim Bashën, të përdorura nga “Foltorja” e Sali Berishës i nxjerrin “blof” lajmet e pasqyruara nga mediat italiane. Ato raportojnë se Departamenti Amerikan i Shtetit është kufizuar të thotë se nuk do të hyjë në“ specifikat e informacionit të inteligjencës, por ne kemi qenë të qartë për shqetësimin tonë për aktivitetin e Rusisë për të ndikuar në procesin demokratik në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe tonin. Shqetësimi ynë për aktivitetin rus në këtë drejtim nuk ka të bëjë me ndonjë vend të caktuar, por ka natyrë globale, ndërkohë që ne vazhdojmë të përballemi me sfidat ndaj shoqërive demokratike”. Vetëm kaq, pa dhënë informacione të tjera të dobishme për të kuptuar se për cilat parti e kanë fjalën. Megjithatë, disa media amerikane fillojnë të përhapin emrat e vendeve të para që do të përfshiheshin në transferimin e fondeve, pa specifikuar megjithatë se cilat palë në veçanti: bëhet fjalë për Shqipërinë, Malin e Zi, Madagaskarin dhe ndoshta edhe Ekuadorin. Këto janë, disa nga vendet në të cilat inteligjenca e Uashingtonit ka gjurmuar flukset e financimit “të mbuluar” nga Rusia. Një fushatë ndikimi e zhvilluar gjithashtu duke përdorur kriptovaluta, para të gatshme dhe dhurata, shpesh përmes llogarive dhe burimeve të ambasadave ruse për të forcuar peshën e saj jashtë vendit duke mbështetur partitë dhe liderët pro-rusë. Sipas burimeve në administratën Biden, megjithatë, raporti përfaqëson vetëm “majën e ajsbergut”, thuhet në artikullin Il Fatto Quotidiano. Pra edhe pse është përmendur Shqipëria, nga disa media amerikane, nuk janë zbuluar dhe përcaktuar ende palët të cilat kanë përfituar nga fondet e Vladimir Putinit. Pra njësoj si në Shqipëri, edhe në Itali pas publikimit të raportit për financimet ruse nga Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet burimeve të inteligjencës të dëgjuara nga Adnkronos, nuk ka “asgjë specifike, edhe pse politika atje është ndezur duke shtuar akuze dhe sulme ndaj njëri-tjetrit.
“Foltorja” në sulm për financimet ruse
Nga ana e tij Basha bëri një përgënjeshtrim formal së fundmi duke thënë se“ Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus” dhe duke pretenduar se ajo ka bashkëpunuar me drejtësinë duke zbardhur këtë aferë. “Foltorja” që e akuzon Bashën sot pas shkrimit të Zërit të Amerikës pa asnjë fakt konkret, në 2018 kur plasi ky denoncim e mbronin atë në të gjitha format duke pretenduar se kjo ishte një lojë e mediave të financuara nga Soros. Pra ata janë pak të besueshëm se përdorin standarte të dyfishta. Nga ana tjetër, Berisha po përdor çdo rast të mundshëm pasi ndihet i rrezikuar nga vendimi i Apelit, i cili e heq nga Partia Demokratike. Një vendim kundër tij nga Apeli që i heq administrimin e selisë blu, do të sillte fundin e tij politik dhe “mburojën” e tij kundër drejtësisë dhe amerikanëve. Nëse drejtësia i heq nga duart PD, Berisha i humb të gjitha. Ai nuk e ka dashur kurrë PD si politikan i ndershëm, që ta vejë kauzën e saj në dobi të vendit e demokracisë, as si pushtetar e as si opozitar, por e ka përdorur atë si mburojë për interesat e tij dhe demokratët e thjeshtë si mish për top. Në situatën dhe pozitat që ndodhet ai, ku gjysma e Evropës dhe SHBA i ka mbyllur dyert, ky vendim do te vuloste fundin e tij. Pasi, sot që flasim “Foltoren” nuk e njeh asnjë institucion.