Dy sezonet e fundit ka munguar rivaliteti midis Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos, dy lojtarë që i kanë dhënë tonin futbollit europian për më shumë se një dekadë dhe kanë qenë futbollistët që kanë fituar më shumë në planin individual, duke regjistruar suksese të pashembullta në karrierën e tyre. Ndërkohë, nëse PSG-ja avancon këtë sezon, superylli argjentinas, Lionel Mesi, do ta ketë një pikë të madhe referimi në horizont. 35-vjeçari ka 125 gola të shënuar në Ligën e Kampionëve, 15 më pak se Kristiano Ronaldo që kryeson renditjen. Megjithatë, Ronaldo nuk do ta shtojë asnjë me Mançester Junajtid që është kualifikuar vetëm për Ligën e Evropës. Kjo i jep shansin Mesit që ta ngushtojë diferencën. Robert Levandovski i Barcelonës dhe Karim Benzema i Realit janë pas tyre me nga 86 gola. Pra Mesi ka shansin të afrohet me rekordin e Ronaldos këtë edicion.



































