Dhuna mes Prishtinës dhe Ballkanit, federata kosovare i fton për “paqe”

0
154

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar të hënën për incidentin që ndodhi në stadiumin “Fadil Vokrri” para ndeshjes mes Prishtinës dhe Ballkanit. Zyrtarisht është njoftuar për tre të lënduar në rrahjen mes shikuesve, ku të përfshirë ishin tifozët e Prishtinës dhe ata të Ballkanit. FFK-ja ka shkruar se ishin tifozët e Prishtinës që i kanë sulmuar tifozët e Ballkanit me mjete të forta. “Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër incidentin e shkaktuar mbrëmë në kuadër të ndeshjes së xhiros së pestë të Albi Mall Superligës ndërmjet FC Prishtina dhe FC Ballkani në kryeqytet. Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe çdo stadium tjetër në Kosovë, duhet të jetë vendi ku tifozeritë në mënyrë të dinjitetshme marrin pjesë për të përkrahur skuadrat e tyre, por nuk duhet të shihen si arena për të shprehur mllefin personal apo grupor, duke shkaktuar incidente të tilla si në ndeshjen e mbrëmshme, kur tifozët e Prishtinës depërtuan nga pjesa e tribunës lindore në atë veriore dhe sulmuan tifozët e Ballkanit me mjete të forta. Po ashtu, nga organet e rendit është raportuar se në rrugën “Enver Zymberi” pak para fillimit të ndeshjes ka pasur edhe therje me thikë pas një përleshje ndërmjet disa personave. FFK dënon ashpër çdo akt dhune dhe çdo incident që cenon shëndetin e njeriut dhe të gjithë pjesëmarrësve në stadiumet e futbollit. Dhuna në njerëz por edhe vandalizmi është i papranueshëm dhe si të tillë duhet ta luftojmë”, shkruan në reagimin e FFK-së. Federata ka kërkuar që klubet të organizojnë më mirë ndeshjet, duke drejtuar kështu gishtin nga Prishtina që ishte nikoqire. “FFK kërkon nga klubet të jenë dukshëm më të përgatitura në organizimin e ndeshjeve në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit në stadiume të ndihen të sigurt. Po ashtu, ftojmë klubet dhe organet e rendit që t’i identifikojnë personat e dhunshëm dhe t’u ndalohet hyrja në stadiume”, shkruan në reagimin e FFK-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here