Konkursi ndërkombëtar “Art në hapësira publike” u hap më 24 qershor dhe në Ministrinë e Kulturës janë dorëzuar 71 dosje. Faza e parë, ajo e dorëzimit të dosjes së aplikimit dhe projektidesë ishte parashikuar të mbyllej në datën 7 gusht, por më pas ministria shtyu afatin deri më 19 gusht. Alma Mile këshilltare e ministres bën me dije se pas fazës së parë ka nisur dhe puna me shqyrtimin e dosjeve nga kolegjiumi në Ministrinë e Kulturës. “Janë dorëzuar 71 aplikime shqiptare dhe të huaja për konkursin ndërkombëtar “Art në hapësira publike”, shprehet Mile. Për shkak të sulmit kibernetik në sistemin online qeveritar, për të rikuperuar pengesat e hasura nga aplikuesit, gjatë ditëve të mosfunksionimit të adresave zyrtare, Ministria e Kulturës shtyu afatin e përmbylljes së fazës së parë të konkursit ndërkombëtar. Fituesit parashikohej që të shpalleshin më datë 2 shtator, por me shtyrjen e datës së aplikimit shtyhet dhe shpallja e tyre, ku pranë ministrisë ka dhe aplikime me më shumë se një projektide. Më herët përmes një njoftimi Ministria e Kulturës shprehej se “Art në hapësira publike” është një nismë për të cilën qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej rreth 200 milionë lekësh. Veprat do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare, që Ministria e Kulturës bënte me dije se do të ngrihej pas përmbylljes së fazës së parë të konkurrimit. MK shprehet se është një nismë që i vjen në ndihmë skenës së pavarur artistike; angazhon artistë shqiptarë e të huaj të arteve pamore, arkitektë, dizajner, inxhinierë ndriçimi etj. Por nga ana tjetër do të ndikojë në përmirësimin e imazhit të hapësirave publike, gjithnjë duke iu përshtatur karakteristikave të zonës.
Hapësirat publike
Janë identifikuar 18 hapësira publike (1 institucion publik – spital), 12 rrethrrotullime, 4 mbikalime, 1 nyje infrastrukturore). Ato shtrihen nga Veriu në Jug dhe nuk bëhet fjalë vetëm për sheshe, por edhe rrethrrotullime, institucione publike apo mbikalime, si dy rreth rrotullime në Koplik, dy në Bajzë, Divjakë, Grabian, Kavajë, mbikalimi te “Plepat”, mbikalimi te “Pallati me shigjeta”, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” etj. Në fazën I aplikanti ishte me projektidenë dhe dosjen e tij (jetëshkrimin, një shprehje interesi, një vetëdeklaratë mbi të drejtën e autorit). Në fazën II, në rast përzgjedhjeje aplikanti duhet të dorëzojë projektin e detajuar (teknik, arkitektonik, të sistemimit të mjedisit përreth, konstruktiv, elektrik, hidtroteknik etj.), preventivin e detajuar, fazat e realizimit të veprës etj. Ministria e Kulturës në njoftimin e saj shprehej se përvoja ishte një kriter i domosdoshëm dhe aplikantët duhet të paraqesin, të paktën 2 (dy) punime të ngjashme, që kanë realizuar. Sipas MK artistët mund të aplikonin me 3 projektide, për 3 lokacione të ndryshme. Nuk ka një tavan të realizimit të plotë të veprës, madje ka edhe një masë shpërblimi për artistët fitues, në masën 700, 000 lekë.








































