Lojtarët e Kombëtares ende po nxitojnë për të mundësuar një transferim në merkato që do t’u hapte ambicie të reja në karrierën e tyre, ku një pjesë dëshirojnë klube që paguajnë më mirë, e të tjerë klube që luajnë në liga të forta e që kanë një mundësi për karrierë më të spikatur. Nga veteranët që duan klube më të rehatshme në aspektin financiar duket se vëmendjen e ka marrë Sokol Cikalleshi, i cili është në pronësi të klubit turk, Koniaspor, por po transferohet edhe zyrtarisht në ligën e Arabisë Saudite, e konkretisht tek klubi i Al Khalej. Natyrisht, arabët paguajnë mirë, por në fund të fundit ky është huazim. Nga ana tjetër, në Itali lojtarët e Kombëtares po përpiqen të rriten. Asllani ka kaluar tek Interi dhe po përpiqet të kapë rol titullari, kurse Bajrami ndodhet në “radarët” e shumë klubeve dhe nuk pëjashtohet mundësia që të largohet në ditët e fundit të merkatos nga Empoli. Pas Fiorentinës për të në skenë ka dalë edhe Sasuolo. Mbetet të shihet se çfarë lëvizjeje do të bëjë, sikurse dhe ambicia e Asllanit tek Interi për një vend në 11-she.
Cikalleshi, Koniaspori e zyrtarizon në Arabi
Sulmuesi i përfaqësueses së Shqipërisë, Sokol Cikalleshi, është larguar pas shtatë vitesh nga futbolli turk. Boberi i Kombëtares ishte pjesë e Koniasporit në dy sezonet e fundit, ekip me të cilin realizoi 18 gola në kampionat. 32-vjeçari nga Kavaja është huazuar në Arabinë Saudite tek ekipi Al Khalej. “Cikalleshi është huazuar për një sezon tek Al Khalej, që ka të drejtën e blerjes së tij në fund të sezonit. I urojmë suksese”, shkruan Koniaspori në faqen zyrtare, klub që sezonin e fundit e mbylli në vend të tretë në Superligën turke. Cikalleshi është prezantuar tek ekipi i ri, që siguroi ngjitjen në elitën e futbollit të Arabisë Saudite. Sezoni i ri fillon më 25 gusht, datë kur Al Khalej do të presë në shtëpi ekipin e Al Hilal, kampionët në fuqi. Një aventurë krejt e re kjo për Cikalleshin, që shpresohet ta kalojë me sukses.
Asllani merr elozhe për lojën tek Interi
Skuadra e madhe e Interit ka në gjirin e vet këtë sezon një shqiptar, Kristjan Asllanin. Interi fitoi në fundjavë 3-0 ndaj Specias, duke u ngjitur në krye të Serie A me 6 pikë të plota, po aq sa Napoli dhe Roma. Trajneri Inzagi aktivizoi edhe Kristjan Asllanin në minutën e 84-t. Mesfushori i kombëtares shqiptare debutoi në kampion me zikaltrit, teksa i mjaftuan pak çaste në fushë për të shprehur talentin që zotëron dhe për të gëzuar tifozët e pranishëm në “San Siro”. 20-vjeçari kreu një driblim të bukur të stilit Ronaldinho përballë islandezit Ellertson, moment që krijoi ovacione në shkallët e stadiumit mitik. Liga e Serie A ka publikuar në faqen zyrtare në Tëitter veprimin e bukur teknik të mesfushorit shqiptar, teksa sipër videos shkruan: “Ahhhhhh Kristjan Asllani…”. Ndërkohë, klubi i Interit ka publikuar një video të momenteve më të mirë të Asllanit në minutat e luajtura ndaj Specias. Përtej driblimit, ajo që ka rënë në syrin e tifozëve interist është një pasim fantastik për Dumfries.








































