Filmi “Nusja dhe shtet rrethimi” është një prodhim i vitit 1978. Një film me regji nga Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj, prodhim i Kinostudios. Në kuadër të muajit të kinematografisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti ndau dje imazhet e këtij filmi. “Me filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”, 1978, me regji nga Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj, u shprehim mirënjohjen të gjithë aktorëve tanë, që dhanë më të mirën në kushte të jashtëzakonshme!”, shkruan Margariti në një status të saj në Facebook. Filmi “Nusja dhe shtetrrethimi” në vitin 2019 u shfaqet edhe në Viennale të Austrisë. Filmi me skenar nga Helena Kadare dhe realizuar nga regjisorët Mitro dhe Muçaj ishte pjesë e programit të filmave europianë me temë nga Lufta e Dytë Botërore. Para shfaqjes në 2019 në Austri, AQSHF më herët lajmëronte bashkëpunimin me Viennale dhe Austrian Film Museum në retrospektivën Pan-European O PARTIGIANO. Në role janë Rajmonda Bulku- Shpresa, Llazi Serbo- kapiten Edgar, Thimi Filipi- xhaxha Jani karrocieri, Sotiraq Bratko- Petriti, Kastriot Çaushi- Fatmiri, Gjergj Lala- Gjergji, Marta Burda- bashkëshortja e xhaxha Janit, për të vijuar dhe me aktoret Behije Çela, Pavlina Mani, Zyliha Miloti, Vitore Nino, etj. Në film, Shpresa shkon në një shtëpi bashkëpunëtorësh të fashizmit për të shitur qëndisma dhe kryen një atentat të rëndësishëm. Pas kësaj i duhet të dalë në ilegalitet e veshur si nuse. Për këtë ajo ndihmohet nga shokët me të cilët ka bashkëpunuar për atentatin. Kështu Shpresa shpëton nga shtetrrethimi. Edhe ky film është pjesë e koleksionit të Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.
Home Aktualitet Muaji i kinematografisë, Margariti: Mirënjohje të gjithë aktorëve tanë që dhanë më...








































