Humbja 1-0 e një jave më parë ndaj Dudelanzhit Luksemburg ishte cilësuar nga Tirana si aksidentale dhe se në duelin e kthimit as nuk diskutohej fitorja dhe kualifikimi në Champions League. Por nuk rezultoi kështu. Tirana pësoi mbrëmë ndaj luksemburgasve një humbje edhe më turpëruese, brenda në stadiumin “Air Albania”, me rezultatin 1-2, duke zhgënjyer tërësisht fansat bardheblu dhe sportdashësit shqiptarë e duke u eliminuar nga UEFA Champions League që në turin e parë të saj. Mundësitë e pashfrytëzuara ndikuan shumë në lojë dhe rezultat, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Dudelanzh zhbllokoi takimin me Bojiç, me një goditje nga jashtë zonës. Goditja më e madhe erdhi në minutën e 61-të, kur Sinani shënoi të dytin për luksemburgasit. Tirana shënoi një gol shprese me Xhixhën në minutën e 78-të, por asgjë më shumë. Në raundin e dytë të Champions League vijon Dudelanzhe, pasi triumfoi me rezultat të përgjithshëm 3-1. Tirana zbret në Conference League, në turin e dytë, ku do të ketë përballë Zrinjskin (21 dhe 28 korrik).
Ballkani i Dajës eliminim dramatik në Champions
Ekipet shqiptare e dëshmuan dobësinë e tyre mbrëmë, pasi përveç Tiranës, edhe kampionia e Kosovës, Ballkani, u eliminua nga Champions. Në fakt ishte një eliminim dramatik pas 120 minutash lojë. E thënë ndryshe, Ballkani nuk ia del të bëjë mrekullinë përballë Zalgiris në ndeshjen e dytë të raundit të parë kualifikues të Champions League. Kampionët e Kosovës dhuruan paraqitje të mirë edhe në transfertë, por nuk ia dolën të shënonin qoftë një gol, edhe pse i patën mundësitë sidomos me Krasniqin në pjesën e parë. Duhet theksuar paraqitja shumë e mirë e Stivi Frashërit, që u mohoi vendasve disa herë golin, por portieri i Ballkanit nuk mundi të bënte asgjë në minutën e 97-të, pasi Ojevusi pati shumë hapësira për të shmangur dhe dërguar topin në rrjetë.
Shkupi ia del, shkon në raundin e dytë
Ekipi kampion i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, siguron kualifikimin në raundin e dytë të Champions League, pas fitores ndaj Lincoln Red Imps, me rezultatin e përgjithshëm 2-3. Një ndeshje me shumë vuajtje, por edhe shumë e vakët ishte sfida e kthimit ndaj Lincoln Red Imps për Shkupin, që në Gjibraltar u mund 2-0, por ishte rezultati i takimit të parë 3-0, që i siguroi ekipit nga Maqedonia e Veriut raundin tjetër. Vendasit shënuan në minutën e 32-të me Juanfri, kurse në minutën e 69-të skuadra nga Gjibraltari e çoi rezultatin në 2-0 pas golit të Kaskiaro. Ndërkohë në raundin e dytë të Champions League kampionët e Maqedonisë së Veriut do e kenë shumë të vështirë, pasi përballë do kenë Dinamo Zagreb.
Drita e Kosovës në turin e dytë të Conference League
Mbrëmë u luajt edhe ndeshja e kthimit midis Dritës së Kosovës dhe Inter Turku të Finlandës. Arbnor Muja inspiroi Dritën për një fitore spetakolare 3:0, për të avancuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Drita e kishte humbur 1:0 ndeshjen në Finlandë javën e kaluar, por me fitoren bindëse mbrëmë kalon tutje. Një sukses i rëndësishëm i saj.






































